Orges Shehi ka debutuar me fitore në stolin e Tiranës. Bardheblutë iu gëzuan tre pikëve ndaj Apolonisë, falë një goli të Taulant Seferit. Trajneri i kampionëve në fuqi foli pas ndeshjes në emisionin “Gol pas Goli” në Supersport.
“Më shumë më kënaq fitorja, prej klasifikimit. E dinim se është e vështirë, nuk ka ndeshje të lehta. Apolonia po luante mirë javën e fundit. E nisëm mirë dhe kishim mundësitë të shënonim. Ishte e vështirë të luaje poshtë. Gabuam në pasime”.
“Kur je brenda e sheh më mirë skuadrën. Është një ekip me karakter që do të kthehet, ka goxha konkurrencë. Cale dhe Çelhaka i futa, pasi u duhen minuta për të kapur formën maksimale. Nuk shfrytëzuam rastet në fillim. Pas minutës së 20-të nisim të gabonim, po luanim në qendër. Repartet u ndanë dhe Apolonia na vuri vështirësi. Pjesën e dytë ndryshuam, përmirësuam diçka duke lëvizur edhe modulin”.
“Kam skuadër të mirë, kthehen edhe ata që kanë munguar. Nuk mund të shohim te Vllaznia, kemi shumë skuadra para. Janë ekipe të forta, ndaj duhet të shohim ndeshjen e radhës. Kemi shumë punë për të bërë. Duhet të krijojmë raste, pastaj edhe golat vijnë”. / abcnews.al

