Orges Shehi iu gëzua triumfit të dytë në krye të Tiranës. Bardheblutë bënë detyrën kundër Skënderbeut dhe pas ndeshjes tekniku durrsak foli në emisionin “Gol pas Goli” në Supersport.
“E dinim që ishte e vështirë sot. E nisëm mirë, shyqyr konkluduam shpejt. Pas dy golave menduam të administrojmë rezultatin, edhe për efekt energjish. Më pëlqen grinta dhe dëshira e lojtarëve për t’u rikthyer aty ku e kanë lënë. Jemi kampionët në fuqi, më pëlqen edhe sjellja e djemve.
Nuk duhet të mendojmë për vendin e parë. Të mendojmë për ata që kemi afër dhe ndeshjet tona. Lojtarët e ardhur nga dëmtimet do i aktivizojmë pak nga pak. Kështu bëmë më Gyamfin dhe Çelhakën. Gradualisht do e marrin formën dhe minutat e duhura, nuk duhet t’i ngarkojmë shumë. Janë të rëndësishëm për të ardhmen tonë.
Realisht nuk është se jemi munduar të mbrohemi për të mos pësuar. Duhet të jemi të ekuilibruar kur kemi topin. Janë të dhëna të mira, një skuadër që do të fitojë duhet të jetë e fortë në prapavijë. Më vjen mirë që Seferi shënoi, edhe të tjerët do të shënojnë. Rëndësi ka ekuilibri i skuadrës.
Seferi? Është lojtar që nuk do koment. Më vjen mirë që po na ndihmon, po sakrifikon edhe në mbrojtje. Çdo trajner do donte ta kishte në skuadër. Do të vijë momenti i bashkëpunimit me Muçin, i cili po tregon pjekuri, bravo i qoftë, pasi është i ri në moshë, por nuk po ndikohet nga zërat dhe momenti jo i mirë“, përfundoi Shehi. /abcnews.al