Tirana arriti dje të fitojë një test të fortë me Vllazninë ditën e djeshme me një gol të Redon Xhixhës. Bardheblutë, megjithëse ende nuk kanë zbritur në fushë në ndeshje zyrtare, duken mirë fizikisht dhe i bënë ballë edhe një ekipi të skalitur në Conference League, si Vllaznia.
Pas ndeshjes për ABC foli trajneri i Bardhebluve, Orges Shehi, i cili është i kënaqur nga merkatoja dhe ka fjalë të mira për të ardhurit në këtë verë. Durrsaku shprehet se po kërkon edhe për një afrim në merkato, pa bërë të ditur pozicionin për të cilin bëhet fjalë.
“Kemi ende kohë, kundërshtari luan Superkupën, por ne kemi kohë dhe mund të përmirësohemi në tre ditët në vazhdim. Sot kishim edhe tre mungesa: Toshevski, Çelhaka dhe Ismajlgeci. Ky mund të jenë nisje e një cikli të ri për Tiranën, kemi ndërtuar një skuadër të re në moshë dhe me cilësi.
Ka vështirësi sepse sidomos në mesfushë janë lojtarë të ardhur së fundmi dhe duan kohë. Është një skuadër e ndërtuar në bazën e një projekti dhe lojtarët e ardhur janë plot talent dhe në një të ardhme jo të largët mund t’i shohim edhe në kampionate më të forta.
Titulli? Me atë që kam në kokë, për nga cilësia jemi ndërtuar për të qenë kompetitive edhe për vitet në vazhdim. Jam i kënaqur me skuadrën, për seriozitetin dhe atë që japin në stërvitje. E kam kërkuar një lojtar dhe shpresoj ta gjejmë sepse është e vështirë.
Na duhet një lojtar me pasaportë shqiptare sepse Limaj ka pasaportë të huaj. Ngoo mbipeshë? Ka ardhur pas pjesës tjetër të skuadrës, është serioz, po punon me një program të veçantë dhe shpresojmë ta sjellim sa më shpejt në formë në këto tre javë.
Në sulm prodhojmë, por vonojmë të marrim vendime. Duhet të luajmë më shpejt dhe të mos kemi mbajtje të kota të topit. Kemi shpejtësi dhe cilësi, duhet t’i vëmë në punë. Jam i kënaqur me merkaton sepse askush nuk është afruar pa miratimin tim.
I njoh të gjithë dhe ata që kanë ardhur janë të gjithë djem me ego personale për të bërë mirë sepse kanë pasur probleme me klubet e tyre për çështje dokumentacioni apo rinovimi dhe duan të tregojnë veten e tyre”, tregoi Shehi. /abcnews.al