Kukësi reagoi pas humbjes në Laç dhe fitoi 3-1 përballë Apolonisë, duke vulosur kualifikimin në gjysmëfinalet e Kupës së Shqipërisë. Orges Shehi ndryshoi skemë dhe mori përgjigjet e duhura nga djemtë e tij, teksa prek disa tema gjatë prononcimit për Supersport.
FITORJA – “Vinim pas një ndeshje jo të mirë, ku nuk ishim vetvetja. Sot e vlerësuam maksimalisht dhe luajtëm me formacionin më të mirë. Donim të riktheheshim te rezultati pozitiv, që të jep optimizëm dhe kënaqësi për lojtarët. E arritëm sot.
PAGAT – “Mendoj që jetojmë në një botë që ka vështirësi, që kalohen duke qenë të gjithë bashkë dhe duke menduar sot për të ardhmen. Skuadra tregoi dëshirë dhe grintë, edhe pse kishim fituan ndeshjen e parë. Fitoret sjellin entuziazëm te ne dhe te drejtuesit”.
LOJA – “Duke hedhur në fushë lojtarët më të mirë përveç Abazajt, mendova të provojmë një modul tjetër. I aktivizova të gjithë, vetëm Basha dhe portieri nuk kanë luajtur këtë periudhë. Domi është lojtar i Akademisë vendase, por merr minuta dhe i meriton. Duhet t’i mbështesim lojtarët e rinj”.
KRIZA – “Pesë fitore, një barazim dhe një humbje, ndodhin në futboll. E rëndësishme është si të rikthehesh, të shohim të ardhmen për të marrë rezultate pozitive”.
SKEMA – “Hodhëm këtë modul sot, do ta shikojmë në bazë të kundërshtarit. Më pëlqeu skuadra sot, 90% të asaj që kërkova u realizuan. Duhet të kemi dy mundësi për t’u shprehur në fushë, por nuk duhet të bëjmë më hapa fals”.
EGBO – “Po bën një punë shumë të mirë, nuk ka se si të mos i japësh merita. Do merita pasi ai i meriton ato. Jepi Çezarit atë që i takon Çezarit”. /abcnews.al

