Ministria e Brendshme ka reaguar pas akuzave të deputetit demokrat, Agron Shehaj, i cili gjatë fjalës tij në Kuvend pasditen e sotme bëri me dije se policia i ka mbyllur biznesin dhe ka sekuestruar ambientet ku operonte ky biznes, pa asnjë leje apo urdhër nga prokuroria.
Ai e quajti të gjithën një akt hakmarrjeje dhe përpjekje për t’i mbyllur gojën. Sipas Shehajt, vendimi erdhi pas akuzave që deputeti demokrat ka bërë në sallën e Kuvendit.
Në reagimin e saj, Ministria bën me dije se Shehaj është përpjekur të sulmojë institucionet ligjzbatuese dhe të ‘mbrojë’, paligjshmërinë e tij, ndërsa thekson se objekti i biznesit të Shehajt ka 55% shtesë kati se thënë ndryshe 560 m2 pa leje.
Reagim i Ministrisë së Brendshme
Me një sqarim të detyruar, por jo të dëshiruar, Ministria e Brendshme u përgjigjet akuzave të deputetit Agron Shehaj, që vijnë nga salla ku presupozohet se ai ka shkuar për të diskutuar e marrë vendime të rëndësishme për ata që e kanë votuar. Ai sot është përpjekur të sulmojë institucionet ligjzbatuese dhe të ‘mbrojë’, paligjshmërinë e tij.
Fotoja që publikoi deputeti Shehaj është dëshmi e saktë, e punonjësve të Policisë së Shtetit dhe IKMT në krye të detyrës, për bllokimin e një ndërtese subjekt i ligjit për penalizimin e ndërtimeve pa leje me qëllim fitimi.
Eshtë pikërisht ky objekt me mbi 55% shtesë kati, ose thënë ndryshe 560 m2 pa leje, ku kompania e deputetit Shehaj ka vendosur aktivitetin.
E megjithë paligjshmërinë në flagrancë, nga shkelësi artikulohet me lehtësinë më të madhe, akuza për mbyllje biznesi të ndershëm.
Deklarata e Shehajt
Dorëzova në Parlament një projektligj për ndalimin e kompanive offshore në kontratat publike. Dhe më në fund erdhi reagimi i Qeverisë, nëpërmjet dhunës dhe Policisë. Jam menduar gjatë, nëse duhet të perdorja këtë sallë për të denoncuar një akt të pashembullt, në një shtet demokratik dhe kandidat për anëtarsim në Bashkimin Evropian, përdorimin e shtetit dhe policisë për të sulmuar një kundërshtar politik. Por vendosa se po, sepse është pikërisht kjo sallë shkaku i sulmit. Gjithçka ka nisur nga këtu, nga denoncimet që unë kam bërë nga kjo foltore, për aferat e kësaj qeverie dhe ministrave të saj.
Këto foto tregojnë Policinë e Shtetit brenda ambienteve të biznesit tim. Pa asnjë urdhër nga Prokuroria, pa asnjë urdhër nga gjykata, pa asnjë urdhër dhe shkresë nga askush. Forcat e policisë kanë hyjnë brenda një ambienti privat dhe kanë nxjerrë jashtë punonjësit, duke i terrorizuar dhe pa asnjë mandat ligjor. Ky është shteti policor i Edi Ramës që nëpërmjet dhunës dhe përdorimit politik të policisë, do të intimidojë dhe t’i mbyllë gojën deputetëve të Opozitës dhe kutjdo që tenton të ngrejë zërin. Prej dy javësh biznesi mbahet i mbyllur me dhunë nga Policia dhe rreth 200 ekspertë IT nuk mund të shkojnë në zyrë.