Aktorja e njohur e Teatrit të Kukullave, Shegushe Bebeti, ka dhënë një mesazh për të gjithë prindërit e rinj. E ftuar në emisionin “Pas Mesnate” në ekranin e ABC News, ajo ka thënë që prindërit duhet t’i përkushtohen fëmijëve, pasi edukata merret nga familja dhe jo nga shkolla.
Shegushja ka theksuar se nëse ti fëmijës nuk i përkushtohesh, nuk i lexon një përrallë, nuk i jep kohë edukimit të fëmijës, ai nuk do të jetë i vlefshëm as për veten e vetë as për shoqërinë.
“Ka dhe nga ata prindër që janë shumë të përkushtuar dhe bravo ju qoftë, që i sjellin fëmijët ta ndjekin teatrin e kukullave, i çojnë në kinema të shohin një film për fëmijë, i çonin dikur në cirk dhe më vjen mirë që qendra e cirkut po rikthehet tani dhe po jep shfaqje. Pra, që përpiqen t’i kenë fëmijët në kontakt me artin, pra, ka dhe nga ata prindër. Më ka bërë përshtypje përpara një muaji te kur isha për një shfaqje me Teatrin Kukullave te Salla e Liceut ‘Tonin Harapi’, erdhi dikush që kishte dy fëmijë të vegjël, u ulën, ajo hapi celularin, ata shikonin shfaqjen dhe ajo vajza i bënte pyetje ‘O ma ça është kjo plastika?”. I bënte pyetje se nuk e kuptonte se ishte e vogël dhe ajo i thoshte ‘Hë shiko shfaqjen’ dhe vazhdonte rrinte në celular. Pra, ka dhe nga këta prindër që për të pasur atë ‘lirinë’ e tyre, merren gjithë kohën me celularin dhe i kushtohen shumë pak prindërve. Unë di të them një gjë, edukata qytetare, artistike, qoftë dhe arsimore merret në familje merret në familje, jo në shkollë. Shkolla të jep dije, nuk të jep edukatë. Edukatën ta jep familja, nëse ti fëmijës nuk i përkushtohesh, nuk i lexon një përrallë, nuk e çon në një teatër, nuk e çon në një kënd lojërash, nuk i jep kohë edukimit të fëmijës, ai nuk do të jetë i vlefshëm as për veten e vetë as për shoqërinë”, tha ajo./abcnews.al