Shefi i Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog ka thënë se Qeveria e Kosovës duhet t’i bëjë detyrat e shtëpisë dhe t’i prezantojë sukseset në shtetet anëtare të Bashkimit Evropian në mënyrë që të marrë mbështetjen për liberalizimin e vizave. Ai ka thënë se Kosova duhet t’u ofrohet shteteve anëtare duke punuar përmes ambasadave që i ka në vendet e BE-së. E kjo sipas tij nuk ka ndodhur deri tani.
Szunyog ka thënë se e ka të vështirë të kuptojë pse deri tani nuk ka liberalizim të vizave për Kosovën.
“Liberalizimi i vizave, kjo është diçka që unë personalisht e gjej të vështirë ta kuptoj pse nuk është bërë deri më tani por që nuk është çështje për institucionet e Bashkimit Evropian, institucionet e BE-së e kanë bërë pjesën e tyre të punës, por e kemi Komisionin Evropian, kemi një kundërshtim nga 2018 një numër i rezolutave të Parlamentit Evropian por që vendimmarrja është në shtetet anëtare, është Këshilli i BE-së që vendosë. Prap po them, do të doja të shihja më tepër që Qeveria e Kosovës t’ju ofrohet shteteve anëtare, të punojë përmes ambasadave të tyre, ka shumë ambasada që Kosova ka në shtetet anëtare të BE-së”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se Qeveria e Kosovës duhet të bëjë detyrat e saj të shtëpisë dhe të prezantojë para shteteve anëtare sukseset e arritura.
“Njërin nga ish-ambasadorët e Kosovës e pyeta se sa herë kishte vizituar Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe kishte folur me këto institucione që janë përgjegjëse për Shengenin dhe çështje të migrimit dhe ai tha asnjëherë, asnjëherë nuk kishte marrën ndonjë udhëzim që të prezantojë shifra për shembull sa i përket luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, të ndërmarrë hapa aktivë dhe të flasë me njerëz që janë vendimmarrës… Prandaj do të doja të shihja pjesën përveç institucioneve të BE-së, të shihja edhe qeverinë të bëjë detyrat e saj të shtëpisë, t’i prezantojë sukseset në këtë fushë, dhe të punojë me shtetet anëtare ashtu që te merr mbështetjen e duhur pranë Këshillit”, ka shtuar ai.
Këto deklarata, shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog i ka bërë në konferencën e organizuar nga Këshilli i Investitorëve Evropian në gjashtë vjetorin e hyrjes në fuqi të Marrëveshjes për Stabilizim Asociim./KP