Shefi i NATO-s: Bota do të jetë një vend më i rrezikshëm, nëse Rusia fiton luftën në Ukrainë

schedule09:38 - 5 Gusht, 2022

schedule 09:38 - 5 Gusht, 2022

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg tha të enjten se aleanca ushtarake perëndimore ka si detyrë të përbashkët të mbështesë Ukrainën në luftën e saj kundër Rusisë, si dhe të parandalojë përhapjen e konfliktit në një luftë mes Rusisë dhe NATO-s.

Duke folur në një kamp veror në vendin e tij të lindjes, Norvegji, zoti Stoltenberg tha se aleanca ka përgjegjësinë morale që të mbështesë Ukrainën dhe popullin e saj që ndodhen nën agresionin rus.

Po shohim akte lufte, sulme ndaj civilëve dhe shkatërrime që nuk janë parë që nga Lufta e Dytë Botërore”, tha zoti Stoltenberg, sipas një njoftimi të NATO-s. “Nuk mund të jemi indiferentë ndaj kësaj”, shtoi ai.

Zoti Stoltenberg tha se bota do të jetë një vend më i rrezikshëm nëse Presidenti rus Vladimir Putin merr atë që dëshiron përmes përdorimit të forcës ushtarake.

Nëse Rusia fiton këtë luftë, për (Putinin) do të ishte pohim se dhuna funksionon. Pastaj radha mund të jetë e vendeve të tjera fqinje“, tha ai.

Ushtria e Ukrainës njoftoi të enjten se forcat ruse po bombardonin zona të shumta në Ukrainë, përfshirë ato rreth Karkivit, Slovianskut dhe Çernihivit.

Ndërkohë, Ministria britanike e Mbrojtjes njoftoi se forcat ukrainase po përdorin raketa dhe sulme me artileri kundër fortesave ruse ushtarake, personelit, bazave të mbështetjes logjistike dhe depove të tyre të municioneve. Në deklaratën e ministrisë thuhej se sulme të tilla ka të ngjarë të kenë një ndikim të madh në përpjekjet e Rusisë për të rifurnizuar dhe mbështetur forcat e saj ushtarake.

Të mërkurën në mbrëmje ministrat e jashtëm të vendeve të G-7 lëshuan një deklaratë ku thuhej se po kërkojnë mënyra për të parandaluar Rusinë që të përfitojë nga agresioni i saj në Ukrainë si dhe që të kufizojnë aftësinë e Moskës për të zhvilluar luftë.

Duke vënë në dukje përpjekjet për të hequr gradualisht dorë nga përdorimi i burimeve ruse të energjisë, ministrat thanë se synojnë të ndërmarrin hapa për të reduktuar sasinë e parave që Rusia siguron nga eksporti i energjisë. Po kështu përpjekjet do të përqëndrohen në stabilizimin e tregjeve globale të energjisë si dhe në parandalimin e ndikimit negativ tek vendet me të ardhura të ulëta e të mesme.

Në Nju Jork, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres u tha gazetarëve të mërkurën se aktualisht organizata po shqyrton mënyra për të lehtësuar krizën globale të energjisë të shkaktuar nga lufta./VOA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!