Shefi i EULEX-it dhe ambasadori gjerman të shqetësuar për situatën në veri

schedule11:29 - 7 Dhjetor, 2022

schedule 11:29 - 7 Dhjetor, 2022

Shefi i EULEX-it, Lars-Gunnar Wigemark, dhe ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, kanë thënë se janë të shqetësuar për situatën në veri të vendit.

Wigemark ka shkruar në Twitter se është i shqetësuar me incidentet e djeshme në veri dhe se “çdo protestë duhet të jetë paqësore dhe të gjithë duhet të qëndrojnë të qetë dhe të përmbajtur”.

Ai tha se EULEX-i do të vazhdojë ta monitorojë situatën në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe KFOR-in.

Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, ka shpërndarë postimin e Wigemarkut në Twitter, dhe ka shkruar “vërtet shumë shqetësuese”, duke shtuar që ai mbështetë protestat paqësore, por duhet të ketë “zero tolerancë ndaj dhunës”.

“Dhuna e djeshme ndaj zyrave të komisioneve komunale zgjedhore është e papranueshme”, ka thënë Rohde.

Komentet vijnë një ditë pasi grupe të qytetarëve serbë në veri penguan hapjen e zyrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, duke shkaktuar edhe incidente me armë zjarri dhe granata.

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, tha se siguria e të gjithë qytetarëve të Kosovës “duhet të jetë prioriteti më i lartë”, dhe se aktualisht nuk ka kushte për mbajtjen e zgjedhjeve në veri të Kosovës.

Zgjedhjet në katër komunat e banuara me shumicë serbe – Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq e Zveçan – janë planifikuar të mbahen më 18 dhjetor.

Ato u shpallën pasi kryetarët e tyre dhanë dorëheqje në fillim të nëntorit, në shenjë kundërshtimi ndaj planit të Qeverisë së Kosovës për t’i riregjistruar makinat me targa ilegale serbe në veri.

Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë, e cila me mbështetjen e Beogradit zyrtar i udhëhoqi këto komuna – i kundërshton këto zgjedhje.

Udhëheqësit e Kosovës i dënuan incidentet e së martës, ndërsa kryeministri Albin Kurti paralajmëroi shtim të forcave në veri.

Zyrtarë të KQZ-së thanë, po ashtu, se në rrethana të tilla, “nuk mund të punohet sipas planeve të parapara”.