Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Europian Në Kosovë, Tomas Szunyog, nëpërmjet një reagimi në rrjetin social “Twitter” ka ngritur shqetësimin për marrëveshjen për Manastirit e Deçanit.
Szunyog thotë se edhe pas pesë vitesh kur Gjykata Kushtetuese kishte marrë vendimin lidhur me këtë çështje, vendimi nuk po zbatohet.
Më tej ai shton se Kosova mund të ecë përpara vetëm duke mbështetur sundimin e ligjit si një parim themelor demokratik.
“Më vjen keq që 5 vjet që kur Gjykata Kushtetuese vendosi mbi mosmarrëveshjen e tokës në Deçan, vendimi ende nuk po zbatohet. Kosova mund të ecë përpara vetëm duke mbështetur sundimin e ligjit si një parim themelor demokratik”, ka thënë ai.
Në vitin 2008, Kuvendi i Kosovës miratoi Ligjin për Zona të Veçanta të Mbrojtura, i cili duhet të sigurojë mbrojtjen e manastireve ortodokse serbe, kishave, vendeve të tjera fetare, si dhe vendeve historike dhe kulturore të një rëndësie të veçantë për komunitetin serb si dhe për komunitetet tjera në Republikën e Kosovës.
/abcnews.al/