“Shebenik-Jabllanicë” frymëzim për artistët/ Mbi 35 piktorë në Parkun Kombëtar, realizojnë 60 punime

schedule20:18 - 1 Qershor, 2024

schedule 20:18 - 1 Qershor, 2024

LIBRAZHD- Bukuritë natyrore të Librazhdit zunë vend në telajot e piktorëve shqiptarë. Ata u mblodhën në Shebenik-Jabllanicë, në festën e 16-vjetorit të shpalljes Park Kombëtar.

Rreth 35 piktorë, mes tyre edhe nga Kosova e Maqedonia e Veriut realizuan mbi 60 punime. Parkun e kanë vizituar edhe më herët dhe thanë se është mbresëlënës në të katërta stinët e vitit. Piktorët vendas që i pritën nuk e fshehën krenarinë për bukuritë natyrore të zonës së tyre.

Ndër piktorë kishte edhe nga ata që për vite janë larguar në emigrim. Parku kombëtar thanë se i ka mahnitur dhe do të rikthehen për ta vizituar me familjarë dhe miq. Festa e shpalljes park kombëtar, tashmë është kthyer në një traditë.

Parku Kombëtar Shebenik-Jabllanicë fillon në verilindje të Librazhdit dhe shtrihet mbi një sipërfaqe rreth 34.000 hektare.

Përgjithësisht është i mbuluar nga pyjet por në të gjenden edhe burime dhe dy lumenj të mëdhenj në veri lumi i Qarrishtës dhe në jug lumi i Bushtricës. Bukurinë zonës ja shtojnë edhe 14 liqene akullnajore./ abcnews.al