SHÇBA nis verifikimet për festën e shfrenuar me muzikë e drogë brenda orës policore

schedule21:39 - 11 Shtator, 2021

schedule 21:39 - 11 Shtator, 2021

Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat ka nisur verifikimet për efektivët dhe zyrtarët e komisariatit të policisë së Kavajës pas lajmit që “ABC” publikoi lidhur me festën e shfrenuar të një grupi të rinjsh nga disa shtete të Europës në Vilë Bashtovë. Lajmi konfirmohet nga gazetari Aldo Kozarja.

Por çfarë ndodhi?

Një grup të rinjsh nga Italia kanë festuar në mënyrë të shfrenuar gjatë natës në bregdetin e Kavajës, Vilë-Bashtovë. Me drogë dhe alkool ata kanë thyer masat e Covid në vendin tonë. Më skandaloz është fakti se ata kanë qenë nën vëzhgimin e forcave të policisë të cilat nuk kanë reaguar.

Problemet në këtë rast janë dy; trajtimi me dy standarde për thyerjen e aktit normativ për masat anti-covid dhe konsumimi i lëndëve narkotike.

Nëse do të bëhej fjalë për ndonjë grumbullim festiv, dasmë apo ceremoni të ndryshme familjare me siguri që nëse policia do të ishte në dijeni të thyerjes së orës policore do të kishte shkuar me shpejtësi për t’i gjobitur.

Lexo edhe: Festë me drogë në Vilë-Bashtovë, policia i mbron, organizatori: Po bëjmë qejf

Por në këtë rast, policia nuk ka mbyllur njërin sy e bërë shurdh njërin vesh, por të dy duke i lejuar mysafirët nga Europa ta bëjnë qejfin deri në pikën e fundit.

Por më skandaloz është fakti tjetër; droga. Lajmi në media doli thuajse më shumë se një 20 ditë më parë, ku “rebelët” u shprehën përmes mediave italiane se do të shkonin në Shqipëri për te festuar me drogë, ilegalisht. Lajmi u pasqyrua thuajse në të gjitha mediat në vend.

E mori vesh edhe policia. Këtë e tregon fakti që kishte informacion dhe i vëzhgoi nga larg pa u prishur qetësinë.

Njëri nga organizatorët, tha për gazetarin e “ABC” Aldo Kozarja se një pjesë e të rinjve e kanë marrë drogën nga vendet e tyre dhe derisa në kufi nuk është ndaluar asnjëri, kjo do të thotë se kanë kaluar lirisht të gjithë pa u shqetësuar.

Në Itali, autoritetet ndërhynë duke u prishur festën pasi grumbullimi ishte masiv dhe përdoreshin hapur lëndë narkotike nga më të ndryshmet, por në Shqipëri nuk ndodhi ashtu, por e kundërta.

Policia i mbrojti. Dhe nuk kishte si të ndodhte ndryshe, organizatori ngeli shumë i kënaqur me sjelljen e policisë së shtetit.

“Nuk ka shqetësime as nga policia, as nga shteti. Mund të konsumosh çfarë të duash, mund të rrish të bësh qejfit tënd” tha ai./ Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!