Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesave ka ndaluar drejtoreshën e Kufirit dhe Emigracionit Enkelejda Toska dhe tre zyrtarët e tjerë të pezulluar nga detyra për shkak të skandalit të trafikut të arabëve përmes Shqipërisë.
Ndalimi i tyre ka ardhur për shkak se në bashkëpunim me grupin e përfshirë në këtë veprimtari kanë shkelur detyrimet ligjore për pajisjen e shtetasve të huaj me leje qëndrimi.
Ata dyshohen kanë favorizuar apo ndihmuar në realizimin e trafikut ndërkombëtar të qënieve njerëzore, nëpërmjet Shqipërisë.
Gjithashtu, në këtë veprimtari antiligjore, përfaqësues të firmave e kompanive të ndryshme përpilonin dokumente zyrtare të falsifikuara, të cilat konsistojnë në krijimin e kompanive fiktive, kontratave fiktive të punës, adresave të rreme, enkas për të plotësuar detyrimet sipas ligjit për të përfituar leje qëndrimi në Shqipëri.
Ndaj tyre rëndojnë akuzat për veprat penale të “Dhënie ndihme për kalim të paligjshëm të kufirit”, “Shpërdorim detyre” dhe “Falsifikim dokumentesh”, kryer në bashkëpunim.
Të ndaluar janë
– Enkelejda Toska me detyrë Drejtore e Drejtorisë Rajonale të Kufirit e Migracionit, Tiranë;
– Besnik Zela me detyrë Shefi i Sektorit në DRKM, Tiranë;
– Altin Hasani me detyrën e Shefit të Seksionit në DRKM, Tiranë;
– Albana Metko specialiste në DRKM, Tiranë.
LEXO EDHE: DENONCIMI/ Drejtoresha e Kufirit Enkeleda Toska, e përfshirë në trafikun e arabëveShqiperi.
Njoftimi i plotë
Drejtoria e Hetimit e SHÇBA-së, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, mbështetur në informacionet, por edhe në vlerësim të pamjeve të transmetuara në media, në lidhje me trafikimin klandestin të qënieve njerëzore, pas hetimeve të kryera për fenomene abuzive nga punonjës policie të Drejtorisë Rajonale të Kufirit dhe Migracionit, Tiranë, kryesisht në zbatimin e procedurave për lëshimin e lejeve të qëndrimit ndaj shtetasve të huaj, nga Lindja e Mesme, që hyjnë në Shqipëri, kreu ndalimin e punonjësve të policisë:
Ndalimi u krye pasi dyshohet se ata në bashkëpunim me shtetas të ndryshëm, që përfaqësojnë firma e kompani në fushën e turizmit, kanë keqpërdor atributet dhe kompetencat ligjore që u jep funksioni organik, duke shkelur detyrimet ligjore për pajisjen e shtetasve të huaj me leje qëndrimi.
Dyshohet se ata kanë favorizuar apo ndihmuar në realizimin e trafikut ndërkombëtar të qënieve njerëzore, nëpërmjet Shqipërisë.
Është e dokumentuar se kjo veprimtari e kundraligjshme është kryer për një kohë të gjatë, në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe me shtetas të tjerë kundrejt shpërblimeve financiare të konsiderueshme.
Gjithashtu, në këtë veprimtari antiligjore, përfaqësues të firmave e kompanive të ndryshme përpilonin dokumente zyrtare të falsifikuara, të cilat konsistojnë në krijimin e kompanive fiktive, kontratave fiktive të punës, adresave të rreme, enkas për të plotësuar detyrimet sipas ligjit për të përfituar leje qëndrimi në Shqiperi.
Ndalimi u bë për veprat penale të “Dhënie ndihme për kalim të paligjshëm të kufirit”, “Shpërdorim detyre” dhe “Falsifikim dokumentesh”, kryer në bashkëpunim.
Hetimet vijojnë deri në dokumentimin e plotë të veprave penale të konsumuara nga këta punonjës policie.
SHÇBA fton qytetarët dhe mediat të denoncojnë çdo shkelje apo abuzim me detyrën të punonjësve të Policisë, në numrin falas 0800 90 90, duke garantuar anonimatin dhe reagim të shpejtë.
Nē këtë kuadër, Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit, në datë 27 maj 2020, nisi hetimin disiplinor për “Shkelje të rënda të atributeve e kompetencave të Policisë”, ndaj 4 punonjësve të Drejtorisë Rajonale për Kufirin dhe Migracionin Tiranë, të ndaluar nga SHÇBA, si dhe punonjësen A.L., specialiste e Migracionit në DRKM Tiranë.
Mbi bazën e hetimeve, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu, ka urdhëruar pezullimin e menjëhershëm nga detyra të 5 punonjësve të Policisë për shkelje të rëndë disiplinore të atributeve dhe kompetencave të policisë, pasi nuk kanë zbatuar procedurat standarde dhe ligjit për të huajt, në plotësimin e praktikave të aplikimit për leje qëndrimi të shtetasve të huaj.
Policia e Shtetit mbetet e vendosur të ndëshkojë dhe të largojë nga radhët e saj, cilindo që abuzon me detyrën kundër ligjit dhe në dëm të interesit qytetar./abcnews.al