SHBA zotohet se do të rivendosë sanksionet ndërkombëtare ndaj Iranit

schedule09:07 - 18 Shtator, 2020

schedule 09:07 - 18 Shtator, 2020

SHBA-ja është zotuar të rivendosë sanksionet ndërkombëtare mbi Iranin.

“Ne do të rivendosim sanksionet në mënyrë që embargoja e armëve të bëhet e përhershme javën e ardhshme”, tha sekretari i Shtetit Mike Pompeo  gjatë një konference të përbashkët shtypi me Sekretarin e Jashtëm britanik Dominic Raab.

“Mendoj se jemi plotësisht dakord që Irani nuk duhet të lejohet kurrë që të ketë një armë bërthamore”, tha zoti Raab. “Ne gjithashtu ndajmë mendimin se dera diplomatike është e hapur për Iranin për të negociuar një rrugë paqeje. Por  Raab nuk dha shumë detaje nëse apo si Britania do t’i zbatonte sanksionet.

Britania, Franca dhe Gjermania, grupimi i ashtuquajtur E3, deklaruan në gusht se ata nuk mund ta mbështesin lëvizjen e SHBA-së për të rivendosur sanksionet e OKB-së ndaj Iranit, duke thënë se ky hap ishte i papajtueshëm me përpjekjet për të mbështetur marrëveshjen bërthamore për Iranin.

Zyrtarët amerikanë kanë paralajmëruar se një Iran i lirë nga kufizimet do të çonte në destabilizim të mëtejshëm rajonal, konflikte të intensifikuara dhe një garë rajonale të armëve.

SHBA-ja u përpoq, por dështoi në 14 gusht të zgjaste një embargo të skaduar të armëve kundër Iranit përmes një rezolute në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Sipas JCPOA-së, pesë anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB, plus Gjermania, ranë dakord me Iranin për të hequr gradualisht sanksionet ndërkombëtare në këmbim të kufizimeve në veprimtaritë bërthamore të Teheranit, për ta penguar atë të prodhojë bomba bërthamore. Marrëveshja gjithashtu hapte tregun iranian për më shumë investime të huaja.

Shtetet e Bashkuara u tërhoqën nga marrëveshja me Iranin në maj 2018, duke vendosur përsëri sanksione të njëanshme mbi Teheranin. Si përgjigje, Teherani rifilloi disa nga aktivitetet e tij bërthamore dhe në korrik 2019-s, prishi marrëveshjen. Irani ka mohuar që aktiviteti i tij bërthamor është për qëllime ushtarake./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!