SHBA, vijon “epidemia” e incidenteve me armë

schedule10:07 - 16 Gusht, 2019

schedule 10:07 - 16 Gusht, 2019

Episodet e armatosura janë kthyer në një epidemi në Shtetet e Bashkuara. Incidenti i radhës ka ndodhur në Alabama, ku dy persona kanë mbetur të vrarë dhe tre të plagosur. Ndërkohë, presidenti Donald Trump ka fajësuar për ngjarjet në fjalë personat sipas tij të sëmurë mendorë.

Dy persona janë vrarë dhe tre të tjerë janë plagosur në një incident të ri me armë të ndodhur në Shtetet e Bashkuara, këtë herë në kampusin e Universitetit të Alabamës.

Të shtënat, sipas autoriteteve policore lokale, ndodhën gjatë orëve të natës. Sipas burimeve, një person ndërroi jetë menjëherë në vendin e ngjarjes, ndërsa tjetri në spital për shkak të plagëve të marra nga plumbat e qëlluar.

Ndërkohë, nga tre të plagosurit dy ndodhen në gjendje kritike për jetën, ndërsa tjetri është jashtë rrezikut. Hetuesit që kanë marrë në dorë çështjen nuk kanë publikuar detaje mbi motivet e ngjarjes apo të dyshuarin që hapi zjarr.

Episodi vjen një ditë pasi një person hapi zjarr në Filadelfia, duke plagosur 6 agjentë policie. Personi në fjalë ishte i dyshuar për krime të lidhura me drogën dhe policia kishte shkuar në banesën e tij për një kontroll, kur papritur u përball me breshërinë e plumbave.

Përballja mes forcave të rendit dhe të dyshuarit zgjati rreth 7 orë, derisa ky i fundit u vetëdorëzua. Incidentet e fundit me armë zjarri kanë bërë që në Shtetet e Bashkuara të rihapet debati për kontrollin e armëve. Por për presidentin Trump, masakrat e ndodhura janë pasojë e të sëmurëve mendorë dhe jo e ligjve për armët.

“Dua që njerëzit të kujtojnë fjalët “i sëmurë mendor”. Këta persona janë të sëmurë dhe askush nuk flet për ta. Duhet të ndërtojmë sërish institute”, tha Trump në një miting në Nju Hempshër./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!