SHBA vijojnë hetimet mbi vrasjen e Jamal Khashoggi

schedule23:12 - 11 Shkurt, 2019

schedule 23:12 - 11 Shkurt, 2019

Uashingtoni nuk i ka mbyllur hetimet mbi vrasjen e gazetarit saudit Jamal Khashoggi. Administrata amerikane ka bërë me dije se të hënën do të marrë masa ndaj personave përgjegjës për ekzekutimin e tij.

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë hetimet mbi vrasjen e gazetarit saudit Jamal Khashoggi.

“Amerika nuk mund ta mbulojë këtë vrasje”, tha të hënën Pompeo, duke shtuar se Uashingtoni do të ndërveprojë për të mbajtur përgjegjës të gjithë personat e përfshirë në vdekjen e gazetarit.

Analisti saudit që jetonte në Shtetet e Bashkuara u vra tetorin e kaluar brenda konsullatës saudite në Stamboll. Pasi fillimisht hodhi poshtë çdo përgjegjësi, Arabia Saudite konfirmoi se agjentë të shërbimeve sekrete të saj kishin kryer vrasjen, por mohoi përfshirjen e familjes mbretërore në të.

Më 8 Shkurt administrata e presidentit Donald Trump u ndodh përballë skadimit të afatit kur duhet të dorëzonte në Kongres një raport lidhur me personat përgjegjës për vrasjen e Kashogit dhe sanksionet e mundshme ndaj tyre.

Të premten e kaluar, një zëdhënës i Departamentit të Shtetit deklaroi se sekretari Pompeo i kishte njoftuar ligjvënësit mbi hetimet por pa dhënë detaje të tjera. Por senatori Tim Kane, anëtar i komisionit për forcat e armatosura dhe marrëdhëniet me jashtë, tha të dielën që kaloi se raporti i kërkuar nuk ishte dorëzuar.

“Kjo do të thotë se administrata Trump po mbulon një vrasje. Amerika nuk duhet të bjerë kurrë në këtë nivel imoraliteti”, deklaroi Kane./abcnews.al