Zyra e Departamentit të Thesarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) për kontrollin e pasurive të huaja (OFAC), më 24 mars, bllokoi pasuritë e tri entiteteve dhe nëntë individëve, si dhe aeroplanin presidencial të presidentit bjellorus, Aleksandër Lukashenko.
Këto masa bazohen në sanksionet e vendosura ndaj individëve dhe subjekteve në Bjellorusi, si përgjigje ndaj goditjes brutale kundër lëvizjes pro-demokratike dhe shoqërisë civile, pas zgjedhjeve presidenciale të manipuluara në gusht 2020, njoftoi ky departament, shkruan REL.
Këto veprime, gjithashtu theksojnë gatishmërinë e SHBA-së për t’i bërë thirrje për përgjegjësi regjimit në Minsk, për bashkëpunimin e tij në luftën e pajustifikuar të Federatës Ruse kundër Ukrainës, thuhet në deklaratë.
“Regjimi autoritar i Lukashenkos mbështetet në ndërmarrjet shtetërore dhe zyrtarët kryesorë për të realizuar të ardhura të konsiderueshme që mundësojnë veprime represive kundër popullit bjellorus”, tha nënsekretari i Thesarit për Terrorizmin dhe Inteligjencën Financiare, Brian Nelson./abcnews.al