SHBA/ Ushtria “ngrin” flotën ajrore, gabime në projektin 1 trilion dollarësh

schedule21:46 - 11 Tetor, 2018

schedule 21:46 - 11 Tetor, 2018

Ushtria amerikane ka pezulluar të gjitha fluturimet e avionëve ushtarakë “F-35” për shkak të konstatimit të një defekti. Pezullimi është bërë në shkallë globale dhe prek programin më të madh ushtarak në botë, kostoja e të cilit arrin në 1 trilion dollarë.

Ushtria amerikane ka pezulluar përkohësisht fluturimet e avionëve luftarakë “F-35”, pas një incidenti të ndodhur muajin e kaluar në Karolinën e Jugut. Përmes një komunikate për shtyp, autoritetet kanë bërë me dije se avionët e Shteteve të Bashkuara dhe partnerëve ndërkombëtarë do të ndërpresin fluturimet deri në fund të inspektimeve, të cilat mund të zgjasin 48 orë. Sipas mediave amerikane, avionëve do t’u kontrollohen tubacionet e karburantit, të cilat nëse do të rezultojnë me defekt do të hiqen dhe zëvendësohen. Avionët “F-35” janë programi më i madh dhe më i shtrenjtë ushtarak në botë. Programi pritet të zgjasë disa dekada dhe shitjet globale pritet të arrijnë në 3 mijë njësi.

Qeveria amerikane ka përllogaritur se kostot e tij do të arrijnë në 1 trilion dollarë. Avionët, të cilët janë të pajisur me teknologjinë “stelth” për të reduktuar dukshmërinë nga radarët, janë projektuar në 3 variante. Në incidentin e verifikuar në Karolinën e Jugut ishte përfshirë një model “F-35 B”, i cili është në gjendje të ulet në tokë në mënyrë vertikale dhe kushton rreth 100 milionë dollarë. Gjatë incidentit piloti u hodh me parashutë, ndërsa mjeti u shkatërrua. Muajin e kaluar një raport zyrtar vinte në dyshim gatishmërinë e mjeteve për t’u angazhuar në luftë pas konstatimit të një seri defektesh./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!