SHBA/ “Ushtria do dëbojë emigrantët”, Trump do shpallë emergjencë kombëtare për të mbajtur premtimin

schedule23:18 - 18 Nëntor, 2024

schedule 23:18 - 18 Nëntor, 2024

Presidenti i zgjedhur Shteteve të Bashkuara, Donald Trump ka konfirmuar se do të shpallë një emergjencë kombëtare, në mënyrë që të përmbushë premtimin e fushatës së tij, për dëbimet masive të emigrantëve që jetojnë në SHBA pa një leje ligjore.

Trump iu përgjigj një postimin në platformën “Truth Social”, ku thuhej se ka raporte se administrata e ardhshme po përgatit një hap të tillë dhe do të përdorë ushtrinë  për të dëbuar emigrantët.

“E VËRTETË!!!”  shkroi Trump.

Gjatë fushatës së tij, presidenti i zgjedhur u zotua të fillojë dëbimet masive sapo të marrë detyrën.

“Në ditën e parë, unë do të nis programin më të madh të dëbimit në historinë amerikane për të larguar kriminelët. Unë do të shpëtoj çdo qytet që është pushtuar nga ata e do t’i dëbojmë ata sa më shpejt që të jetë e mundur nga vendi ynë”, thotë Trump.

Trump ka filluar nga puna për premtimin e tij që me emërimin në poste të rëndësishme të administratës së tij të dytë, të figurave të linjës së ashpër kundër imigracionit.

Guvernatorja e Dakotës së Jugut, Kristi Noem, u zgjodh si sekretare e sigurimit të vendit, në pritje të konfirmimit nga Senati. Ndërkohë, Tom Homan, i njohur për qëndrimet e tij kundër emigrantëve  u emërua “cari i kufirit”.

Homan diskutoi më parë vizionin e tij për dëbimet masive, duke thënë se ata së pari do të përqendroheshin në dëbimin e kriminelëve dhe kërcënimet e sigurisë kombëtare. Ai nuk përjashtoi deportimin e familjeve.

Gjatë gjithë fushatës, Trump u zotua të mobilizonte Gardën Kombëtare për të ndihmuar në planin e tij për dëbimet masive e dëbimit.

Sipas ekspertëve amerikanë, një lëvizje e tillë do të shënonte një ndryshim thelbësor për ushtrinë, e cila normalisht nuk angazhohet me çështjet e zbatimit të ligjit vendas.

Trump shkoi më tej gjatë fushatës së tij duke sugjeruar që mijëra trupa nga jashtë të zhvendoseshin në kufirin SHBA-Meksikë.

Rreth 11 milionë emigrantë të paautorizuar që jetojnë në SHBA pa status të ligjshëm imigrimi. Largimi i tyre mund të kushtojë miliarda dollarë në vit, sipas vlerësimeve të Këshillit Amerikan të Emigracionit.

Veç kësaj , dëbimet masive mund të kenë një ndikim më të gjerë ekonomik duke rezultuar në humbje të të ardhurave nga taksat dhe mungesë të fuqisë punëtore.

/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!