Qeveria amerikane ka dënuar ekzekutimin e dytë të një protestuesi të arrestuar gjatë protestave masive që kanë tronditur Iranin në tre muajt e fundit, duke thënë se dënimet me vdekje tregojnë se regjimi i Republikës Islamike ka frikë nga populli i vet.
“Këto dënime drakoniane dhe tani ekzekutimi i parë publik (i një protestuesi) synojnë të frikësojnë popullin e Iranit. Ata synojnë të mbyllin gojën e opozitës dhe thjesht të tregojnë shkallën në të cilën udhëheqja iraniane i frikësohet popullit të vet,” tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price.
Majidreza Rahnavard, 23 vjeç, u dënua me vdekje pasi theri me thikë dy anëtarë të forcave të sigurisë dhe plagosi katër persona të tjerë, sipas Mizan online, një agjenci lajmesh e lidhur me gjyqësorin iranian. Ai u var publikisht në Mashhad, në verilindje të Iranit.
Ishte ekzekutimi i dytë i lidhur me lëvizjen protestuese të shkaktuar nga vdekja më 16 shtator e të resë Mahsha Amini në duart e policisë, por i pari që u bë në publik, pas varjes më 8 dhjetor të Mohsen Sakarit, gjithashtu 23 vjeç, i dënuar për sulm dhe plagosje të një paraushtaraku.
Nga ana e tij, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres i konsideron kushtet e ekzekutimit të Majidreza Rahnavard “veçanërisht të ashpra” dhe u bën thirrje autoriteteve iraniane të ndalojnë zbatimin e dënimit me vdekje, tha zëdhënësi i tij gjatë një konference për shtyp. Ekzekutimet kanë shkaktuar një protestë ndërkombëtare. /abcnews.al