Ministri i Jashtëm amerikan, Anthony Blinken, për herë të parë kërkoi publikisht nga Irani dhe Izraeli që të shmangin çdo “përshkallëzim” që do të çonte në një konflikt më të gjerë të armatosur.
“Nuk duhet të ketë përshkallëzim që do të çonte në një konflikt të armatosur. Ne po bëjmë përpjekje intensive diplomatike, së bashku me aleatët dhe partnerët tanë, për ta parandaluar këtë dhe i dërguam mesazhin drejtpërdrejt Iranit dhe Izraelit”, tha kryediplomati amerikan gjatë një konference të përbashkët shtypi me Sekretarin e Mbrojtjes së SHBA, Lloyd Austin dhe homologët e tyre australianë.
Tensionet u përshkallëzuan pasi Irani, Hamasi dhe Hezbollahu akuzuan Izraelin për vrasjen e Ismail Haniya, ish kreut të Byrosë Politike të lëvizjes islamike palestineze, më 31 korrik në Teheran dhe u zotuan për hakmarrje.
Dje, udhëheqësi i Hezbollahut, Hassan Nasrallah, përsëriti se do të ketë hakmarrje kundër Izraelit “çfarëdo pasojash” pas vrasjes së Ismail Haniya dhe Fouad Soukr, një figurë udhëheqëse në krahun ushtarak të lëvizjes libaneze një natë më parë, në një bombardim izraelit në një periferi jugore të Bejrutit.
Pentagoni amerikan njoftoi të premten vendosjen e më shumë anijeve luftarake dhe avionëve luftarakë në rajon, duke përfshirë F-22 të padukshëm pothuajse nga radarët, për të mbrojtur Izraelin dhe trupat amerikane të dislokuara në rajon.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes Austin deklaroi gjithashtu se SHBA “nuk do të tolerojë” sulme kundër forcave të saj në Lindjen e Mesme, një ditë pas një sulmi me raketa në një bazë ajrore në Irak që plagosi shtatë amerikanë.
/abcnews.al