SHBA, tërheqje “flash” nga Siria

schedule19:01 - 19 Dhjetor, 2018

schedule 19:01 - 19 Dhjetor, 2018

Me urdhër të presidentit Trump, Shtetet e Bashkuara do të nisin tërheqjen e menjëhershme nga Siria. Në mesazhin dërguar Pentagonit, Trump ka deklaruar se Shteti Islamik është mposhtur dhe zgjatja e misionit ushtarak nuk është e nevojshme.

Shtetet e Bashkuara po përgatiten të tërheqin të gjitha trupat nga Siria. Mediat amerikane, që citojnë burime pranë Departamentit të Mbrojtjes bëjnë të ditur se Shtëpia e Bardhë ka urdhëruar Pentagonin të hartojë një plan për një tërheqje të menjëhershme. Presidenti Donald Trump në një postim në Twitter ka deklaruar se Shteti Islamik në Siri është mposhtur dhe kjo ka qenë e vetmja arsye përse Shtetet e Bashkuara kanë qenë aty. Rreth 2 mijë trupa amerikane kanë ndihmuar në asgjësimin e militantëve të ISIS në veri-lindje të Sirisë, por grupime të vogla rebelësh janë ende në qarkullim. Mediat amerikane komentojnë se bëhet fjalë për një lëvizje surprizë të administratës Trump, zyrtarët e të cilës më herët kishin deklaruar se synonin të qëndronin edhe më tej në Siri për t’u siguruar që rrjeti terrorist të mos riorganizohet. Vetëm pak ditë më parë, i dërguari i posaçëm i presidentit për koalicionin anti-ISIS, Bret Mek Gurk deklaroi: “Nuk jemi aq naivë sa të mendojmë se ISIS do të zhduket, ndaj duam të qëndrojmë në terren për të ruajtur stabilitetin”. Sidoqoftë, njoftimi vjen në një kohë kur Turqia ka deklaruar se po përgatitet për një operacion kundër milicisë kurde të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara në veri të Sirisë, veprim ky që rrezikon përballjen me palën amerikane. Trupat amerikane janë vendosur kryesisht në rajonin kurd në veri të Sirisë dhe përmes aleancës me Forcat Demokratike Siriane kanë luftuar ISIS që 4 vite më parë kishte marrë nën kontroll territore të shumta. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!