Sondazh

Foltorja 2 e Berishës braktiset nga njerëzit:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

SHBA-të në luftë me Venezuelën?!/ Trump: Maduro i ka ditët e numëruara

schedule07:53 - 3 Nëntor, 2025

schedule 07:53 - 3 Nëntor, 2025

Donald Trump ka minimizuar mundësinë e një lufte mes Shteteve të Bashkuara dhe Venezuelës, por ka lënë të kuptohet se ditët e Nicolás Maduros si president i vendit janë të kufizuara.

Në një intervistë për emisionin “60 Minutes” të rrjetit CBS, Trump u pyet nëse SHBA po përgatitej për luftë me Venezuelën. “Nuk besoj. Nuk mendoj kështu. Por ata na janë sjellë shumë keq”, u shpreh ai.

Deklaratat e tij vijnë ndërsa SHBA vazhdon goditjet ndaj anijeve të dyshuara për trafik droge në Karaibe. Administrata Trump ka deklaruar se këto operacione janë të nevojshme për të frenuar trafikun e narkotikëve drejt Shteteve të Bashkuara.

Trump hodhi poshtë pretendimet se aksionet kishin për qëllim rrëzimin e Maduros, një kundërshtar i vjetër politik i tij, duke thënë se operacionet “kanë të bëjnë me shumë gjëra”.

Sipas CBS News, të paktën 64 persona janë vrarë nga sulmet amerikane në Karaibe dhe në Paqësorin lindor që nga fillimi i shtatorit. Duke folur nga rezidenca e tij në Mar-a-Lago, Florida, Trump tha: Çdo anije që shkatërrohet përfaqëson 25 mijë jetë të humbura për shkak të drogës dhe familje të shkatërruara në mbarë vendin tonë.

I pyetur nëse SHBA planifikon edhe goditje tokësore, ai nuk e përjashtoi këtë mundësi: Nuk do të thosha se do ta bëja… Por nuk do t’ju tregoj se çfarë do të bëj me Venezuelën, nëse do ta bëj apo jo.

Presidenti venezuelian Nicolás Maduro e ka akuzuar më parë Uashingtonin se “po sajon një luftë të re”, ndërsa presidenti kolumbian Gustavo Petro ka thënë se goditjet ndaj anijeve përdoren nga SHBA për të “dominuar Amerikën Latine”.

Trump, gjatë intervistës, foli edhe për çështjen e emigracionit, duke thënë se qeveria amerikane “nuk do të lejojë” hyrjen e njerëzve “nga e gjithë bota”.

“Ata vijnë nga Kongo, nga çdo cep i botës, jo vetëm nga Amerika e Jugut. Por Venezuela, në veçanti, ka qenë problematike. Ata kanë banda”, tha ai, duke përmendur bandën Tren de Aragua, të cilën e cilësoi si “më të egërën në botë”.

Kjo ishte intervista e parë e Trump-it me CBS që nga padia e tij ndaj kompanisë mëmë Paramount, pas një interviste në vitin 2024 me atëherë-nënkryetaren Kamala Harris.

Trump kishte pretenduar se intervista ishte montuar për të “favorizuar Partinë Demokratike”. Paramount pranoi të paguante 16 milionë dollarë (rreth 13,5 milionë paund) për ta zgjidhur çështjen, me kusht që fondet të shkonin për bibliotekën e ardhshme presidenciale të Trump-it, pa iu dorëzuar atij “drejtpërdrejt ose tërthorazi”. Kompania nuk publikoi asnjë deklaratë faljeje

Trump ishte shfaqur për herë të fundit në “60 Minutes” në vitin 2020, kur ndërpreu intervistën me gazetaren Lesley Stahl, duke e akuzuar programin për “pyetje të njëanshme”. Ai refuzoi të jepte intervistë për këtë emision gjatë fushatës presidenciale të vitit 2024.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!