SHBA/ Sulm me armë në një qendër farmaceutike, 3 të vrarë e disa të plagosur

schedule19:43 - 20 Shtator, 2018

schedule 19:43 - 20 Shtator, 2018

Të paktën 3 persona kanë mbetur të vrarë të enjten në Shtetet e Bashkuara në një sulm të shumëfishtë me armë zjarri. Bëhet fjalë për incidentin e tretë të këtij lloji brenda dy ditëve, që ka lënë edhe disa të plagosur.

Të paktën 3 persona kanë mbetur të vrarë dhe 2 të tjerë të plagosur në një incident të armatosur të verifikuar të enjten, në një qendër për shpërndarjen e medikamenteve në Shtetet e Bashkuara. Ngjarja ka ndodhur në kontenë Herford, në shtetin e Merilendit, ku një grua ka hapur zjarr ndaj personave të pranishëm. Patrullat e policisë janë vënë në lëvizje për neutralizimin e saj dhe në ndihmë kanë shkuar edhe skuadrat taktike të FBI-së dhe agjencive të tjera federale. Sipas CNN, që citon sherifin e kontesë, gruaja ka mbetur e plagosur gjatë operacionit të policisë dhe aktualisht ndodhet në gjendje kritike në spital. Autoritetet lokale kanë refuzuar të japin detaje për mënyrën se si mbeti e plagosur autorja e masakrës, por kanë deklaruar se, gjatë operacionit forcat e rendit nuk kanë qëlluar asnjë herë të vetme. Në qendrën për shpërndarjen e medikamenteve, e ndodhur 48 kilometra në veri-lindje të Baltimores, punojnë rreth 1 mij persona. Autorja ka hapur zjarr në godinën kryesore të kompleksit, duke qëlluar me një pistoletë. Rasti në fjalë është i treti që ndodh në Shtetet e Bashkuara brenda pak ditëve. Të mërkurën, një sulm i ngjashëm në një kompleks zyrash në Midëllton të Uiskonsinit la 3 persona të plagosur. Të njëjtën ditë, një person plagosi 4 të tjerë në një lokalitet të Pensilvanisë. Rrethanat e ngjarjeve nuk dihen ende, por në të dyja rastet forcat e policisë vranë agresorët. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!