Pas anulimit të sulmeve ushtarake, administrata amerikane ka ndërmarrë një sulm kibernetik ndaj Iranit, duke vënë në shënjestër sistemet e armatimit të Gardës Revolucionare, të cilat sipas mediave amerikane u çaktivizuan.
Shtetet e Bashkuara ndërmorën një sulm kibernetik ndaj sistemeve iraniane të armatimeve, pasi presidenti Donald Trump vendosi të anulonte sulmet ajrore ndaj Republikës Islamike. Sipas mediave amerikane, sulmi çaktivizoi sistemet kompjuterike iraniane që kontrollojnë raketat dhe raketahedhësit.
“Nju Jork Tajms” nënvizon se sulmi kibernetik ishte një hakmarrje ndaj rrëzimit të një droni amerikan më herët gjatë javës, si dhe për sulmin ndaj dy anijeve-cisternë, për të cilat Uashingtoni fajëson Teheranin.
Shtetet e Bashkuara kanë vendosur gjithashtu sanksione të reja ndaj Iranit, të cilat presidenti Donald Trump i cilësoi si “më të mëdhatë”. Trump tha se sanksionet janë të nevojshme për të parandaluar që Irani të pajiset me armë bërthamore dhe shtoi se presioni do të vazhdojë derisa vendi të ndryshojë kurs.
“Në disa raste ne ecim ngadalë, por në raste të tjera, ne lëvizim shpejt”, tha presidenti amerikan, duke theksuar se opsionet ushtarake janë “gjithmonë në tryezë”.
Sulmi kibernetik ishte planifikuar prej disa javësh, vijojnë ndërkohë mediat amerikane, sipas të cilave ai vuri në shënjestër sistemet e armatimit të përdorura nga Garda Revolucionare./ABC News Albania 24/7