SHBA shqyrton masa shtesë ndaj qeverisë së Venezuelës

schedule17:04 - 10 Shtator, 2024

schedule 17:04 - 10 Shtator, 2024

Ndërsa komuniteti ndërkombëtar ndjek nga afër zhvillimet në Venezuelë pas zgjedhjeve të kontestuara, Shtetet e Bashkuara po bëjnë thirrje për transparencë dhe masa kundër qeverisë së Presidentit Nicolas Maduro. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Celia Mendoza, qeveria e Venezuelës ka lëshuar urdhër-arreste për udhëheqësit e opozitës, përfshirë kandidatin rival për president, Edmundo Gonzales.

Shtetet e Bashkuara po shqyrtojnë marrjen e masave kundër qeverisë së presidentit venezuelian, Nicolas Maduro, pasi kandidati i opozitës Edmundo Gonzalez u detyrua të kërkonte azil politik në Spanjë. Sipas të dhënave të mbledhura nga vëzhguesit vendas dhe të publikuara nga opozita, Gonzales fitoi shumicën e votave në zgjedhjet presidenciale të 28 korrikut.

“Nuk kemi përjashtuar asnjë mundësi dhe po koordinohemi ngushtë me partnerët tanë, përfshirë ata me të cilët angazhohemi rregullisht për këtë çështje. Po shqyrtojmë një gamë të gjerë masash për t’i treguar Maduros dhe përfaqësuesve të tij se keq-qeverisja e tyre, shtypja e të drejtave të njeriut, minimi i demokracisë dhe zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, kanë pasoja reale”, tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Vedant Patel.

Largimi i opozitarit 75-vjeçar, Gonzales, u koordinua mes qeverive të Spanjës dhe Venezuelës, tha prokurori i përgjithshëm i Venezuelës, Tarek Saab.

“Qeveritë e Spanjës dhe Venezuelës ranë dakord që shtetasi Edmundo Gonzalez Urrutia të largohej nga vendi dhe Spanja t’i jepte azil. Si rrjedhojë, Ministria Publike respekton vendimet e ekzekutivit venezuelian, që miratoi largimin e sigurt në bazë të së drejtës për azil të garantuar nga neni 69 i Kushtetutës së Venezuelës”, tha Tarek Saab, Prokuror i Përgjithshëm i Venezuelës.

Administrata e Presidentit Biden ka vendosur sanksione kundër kompanive dhe anëtarëve të qeverisë së Venezuelës. Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera i kanë përdorur këto masa si shtysë për arritjen e marrëveshjeve të tjera, siç ishte marrëveshja e Barbadosit vjeshtën e kaluar, e cila parashtroi kushtet për zgjedhje konkurruese në Venezuelë.

Por Maria Corina Machado, udhëheqëse e opozitës, e cila u ndalua të merrte pjesë në zgjedhje, thotë se Shtetet e Bashkuara nuk ka në bërë sa duhet.

“Shtetet e Bashkuara duhet të bëjnë shumë më tepër dhe kam qenë shumë e qartë me ta dhe me vendet e tjera. Shkelësit e të drejtave të njeriut dhe autorët e krimeve kundër njerëzimit duhet ta dinë se do të mbahen përgjegjës. Sepse kjo u dërgon një mesazh edhe të tjerëve që të mos e bëjnë këtë, jo vetëm në ushtri, por as në sistemin e drejtësisë”.

Shtëpia e Bardhë i ka intensifikuar thirrjet për transparencë dhe publikimin e të dhënave nga votimet.

“Zoti Maduro duhet t’i dëgjojë thirrjet e komunitetit ndërkombëtar dhe kryesisht të popullit venezuelian, dhe t’i publikojë të dhënat në mënyrë që e gjithë bota të mund të shohë se për kë votoi populli venezuelian dhe nëse aspiratat e tyre demokratike janë përmbushur”, tha John Kirby, zëdhënës i Këshillit të Sigurisë Kombëtare.

Zoti Maduro i ka hedhur poshtë pretendimet e drejtuesit të opozitës Gonzalez për fitoren, duke argumentuar për një komplot të krahut të djathtë për ta sabotuar qeverinë e tij. Ndërkohë, opozita venezuelase ka mobilizuar diasporën për të protestuar në qytete në mbarë botën kundër manipulimit të zgjedhjeve. /voa

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!