Të mbijetuarit e bombardimit japonez në Pearl Harbor në vitin 1941 kanë qenë prej kohësh në qendër të një ceremonie përkujtimore që mbahet çdo vit në bregdetin e bazës ushtarake, sipas CNN.
Por, sot në 84-vjetorin e përkujtimores, vetëm 12 prej tyre janë ende gjallë – të gjithë 100-vjeçarë – dhe këtë vit askush nuk është në gjendje të bëjë pelegrinazhin në Hawaii për të shënuar ngjarjen, i cili ishte planifikuar sot.
Sulmi i Japonisë shkaktoi vdekjen e më shumë se 2 300 trupave dhe katapultoi SHBA-në në Luftën e Dytë Botërore.
Ndërsa numri i të mbijetuarve zbehet, pasardhësit e tyre dhe publiku po kthehen gjithnjë e më shumë drejt mënyrave të tjera për të mësuar rreth bombardimit.
Sulmi ndaj Pearl Harbor ishte një sulm ushtarak i papritur nga Perandoria e Japonisë ndaj Flotës së Paqësorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në bazën e saj detare në Pearl Harbor në Oahu, Hawaii, më 7 dhjetor 1941.
Në atë kohë, SHBA-ja ishte një vend neutral në Luftën e Dytë Botërore. Sulmi ajror ndaj Pearl Harbor, i cili u nis nga transportuesit e avionëve, rezultoi në shpalljen e luftës nga SHBA-ja ndaj Japonisë ditën e nesërme.
Sulmi ndaj Pearl Harbor u parapri nga muaj të tërë negociatash midis SHBA-së dhe Japonisë mbi të ardhmen e Paqësorit.
Kërkesat japoneze përfshinin që SHBA-ja të ndërpriste sanksionet kundër Japonisë, të ndalonte ndihmën ndaj Kinës në Luftën e Dytë Sino-Japoneze dhe të lejonte Japoninë të kishte akses në burimet e Indive Lindore Holandeze.
“Ideja e të mos pasurit një të mbijetuar atje për herë të parë, më lëndoi zemrën në një mënyrë që nuk mund ta përshkruaj”, tha Kimberlee Heinrichs, babai 105-vjeçar i së cilës, Ira “Ike” Schab, duhej të anulonte planet për të fluturuar nga Oregoni pasi u sëmur.
Të mbijetuarit kanë qenë të pranishëm çdo vit në ngjarje, përveç vitit 2020, kur Marina dhe Shërbimi i Parqeve Kombëtare e mbyllën përkujtimin për publikun e gjerë për shkak të rreziqeve shëndetësore të pandemisë së koronavirusit.
Ceremonia fillon me një moment heshtjeje në orën 7:55 të mëngjesit, në të njëjtën kohë kur filloi sulmi më 7 dhjetor 1941. Më pas u mbajtën ritualet solemne.
Avionët luftarakë fluturuan sipër “formacionit të të zhdukurve”, për të simbolizuar personat që humbën jetën.

