SHBA sanksionon subjektet iraniane për shkak të prodhimit të dronëve për Rusinë

schedule08:49 - 1 Shkurt, 2023

schedule 08:49 - 1 Shkurt, 2023

Shtetet e Bashkuara vendosën të martën kufizime të reja tregtare ndaj shtatë entiteteve iraniane për shkak të prodhimit të dronëve që Rusia ka përdorur në sulmin në Ukrainë, tha Departamenti amerikan i Tregtisë.

Firmat dhe organizatat e tjera iu shtuan listës së kontrollit të eksporteve të Shteteve të Bashkuara për entitetet që angazhohen në aktivitete që janë në kundërshtim me sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara dhe me interesat e politikës së jashtme amerikane.

Shtesat e reja në “listën e entiteteve” të Departamentit të Tregtisë u publikuan në një dokument paraprak të dërguar Regjistrit Federal të Shteteve të Bashkuara, që është gazeta zyrtare e qeverisë, dhe që publikohet zyrtarisht të mërkurën.

Që kur Rusia filloi sulmin ndaj Ukrainës në shkurt 2022, Shtetet e Bashkuara dhe mbi 30 vende të tjera janë përpjekur të degradojnë bazën e saj ushtarake dhe të industrisë së mbrojtjes, duke përdorur kontrollin ndaj eksporteve për të kufizuar qasjen e Rusisë tek teknologjia.
Entitetet iraniane janë: Projektimi dhe Prodhimi i Motorëve të Avionëve, Forca Aerospaciale e Gardës Revolucionare Islamike, Organizata Xhihadiste për Vetëmbështetje dhe Kërkime të Gardës Revolucionare Islamike, Kompania Oje Parvaz Mado Nafar, Kompania Paravar Pars, Industria e Aviacionit Qods, dhe Industria e Aviacionit Shahed.

Çdo kompani që furnizon këto entitete duhet të kenë liçenca për të dërguar mallrat dhe teknologjinë, por këto pritet që të mos miratohen, me përjashtim të liçencave për ushqime dhe medikamente. Liçencat do të shqyrtohen rast mbas rasti.

Misioni i Iranit në Kombet e Bashkuara në Nju Jork tha se “sanksionet nuk kanë efekt tek kapacitetet e Iranit për prodhimin e dronëve, pasi dronët prodhohen të gjithë brenda vendit. Ky është një tregues i fortë se dronët e rrëzuar në Ukrainë përdorin pjesë të prodhuara nga vende perëndimore dhe që nuk i përkasin Iranit”.

Në janar, Kanadaja njoftoi se do të blejë sisteme të raketave amerikane NASAMS për t’ia dërguar Ukrainës. NASAMS është një sistem tokësor për mbrojtjen ajrore me rreze të shkurtër dhe të mesme që mbron ndaj dronëve, raketave dhe sulmeve të avionëve. Shtetet e Bashkuara i kanë ofruar Ukrainës dy sisteme NASAMS, dhe po përgatitet dërgimi i sistemeve të tjera.

Sisteme të tjera tokësore të mbrojtjes ajrore si ato Patriot, të kompanisë Raytheon Technology Corp., i janë premtuar Ukrainës nga Britania, Shtetet e Bashkuara dhe Holanda, ndërsa aleatët shpresojnë të shmangin prerjet e energjisë në të ardhmen./VOA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!