Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione ndaj Presidentit Kuban Miguel Díaz-Kanel, gruas së tij dhe tre individëve të tjerë, në lëvizjen e fundit të administratës Trump për të ushtruar presion mbi udhëheqjen e ishullit.
Përfshirë në sanksione është Alehandro Kastro Espín, djali i vetëm i ish-Presidentit Kuban Raúl Kastro dhe Vilma Espín.
Vendimet e reja vijnë ndërsa Presidenti amerikan Donald Trump ka kërcënuar me veprime ushtarake në Kubë, mes një bllokade energjitike që pengoi dërgesat e karburantit në ishull. Kjo ka çuar në ndërprerje të rënda të energjisë, mungesa ushqimore dhe një kolaps ekonomik në të gjithë Kubën.
Kërcënimet morën peshë shtesë pasi Shtetet e Bashkuara njoftuan akuza penale kundër Raul Kastro muajin e kaluar. Sanksionet e fundit, të cilat vijnë pas nënshkrimit të një urdhri ekzekutiv nga Trump, ngrijnë pronën dhe llogaritë bankare të këtyre individëve në Shtetet e Bashkuara. Por është e paqartë se sa të ndërthurura janë pasuritë e tyre me sistemin financiar amerikan.
Díaz-Kanel akuzoi Trump se bëri deklarata të reja kërcënuese kundër Kubës dhe tha se këto masa synojnë përforcimin e bllokadës dhe përshkallëzimin e konfliktit midis Havanës dhe Uashingtonit.
Trump ka përshkallëzuar diskutimet për ndryshimin e regjimit në Kubë, pasi u zotua të marrë kontrollin e vendit nëse udhëheqja e saj nuk e hap ekonominë e saj për investimet amerikane dhe nuk i dëbon kundërshtarët e Shteteve të Bashkuara.


