Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione ndaj disa kompanive të cilat kanë selinë në Iran Kinë dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, pasi dyshohet se ato kanë shitur lëndë petrokimike iraniane.
Mediat e huaja bëjnë me dije se sanksionet janë vendosur ndaj gjashtë kompanive me seli në Iran, Kinë dhe Emiratet e Bashkuara Arabe për mbështetjen e kompanisë Triliance Petrochemical Co., Ltd., me bazë në Hong Kong, e cila është e angazhuar në veprimtari biznesi në Iran, Kinë, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Gjermani.
Ndër të tjera Departamenti i Thesarit ka bërë me dije se në janar të këtij viti Shtetet e Bashkuara e vunë në listën e zezë kompaninë Triliance Petrochemical.
Departamenti i Thesarit pretendon se kompanitë me bazë në Iran mbështesnin përfshirjen e vazhdueshme të kompanisë Triliance në shitjen e produkteve petrokimike iraniane, duke përfshirë përpjekjet e kompanisë Triliance për të fshehur ose mbuluar përfshirjen e saj në kontratat e shitjes.
Agjencia tha se shitja e lëndëve petrokimike iraniane është ende një burim i rëndësishëm i të ardhurave për Iranin dhe e ndihmon atë “të financojë mbështetjen e tij destabilizuese për regjimet e korruptuara dhe grupet terroriste në të gjithë Lindjen e Mesme dhe, së fundmi, Venezuelën”.
Në mesin e kompanive të sanksionuara nga Departamenti i Thesarit janë Zagros Petrochemical me bazë në Iran, Dinrin me bazë në Hong Kong, Dynapex Energy, Jingho Technology dhe Petrotech FZE dhe Trio Energy DMCC me bazë në Emiratet e Bashkuara Arabe.e.s/abcnews.al