Të hënën Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione ndaj një banke me seli në Moskë, në pronësi të përbashkët të kompanive shtetëtore ruse dhe venezueliane, për shkak të mbështetjes që i ka dhënë Presidentit Nicolas Maduro, të kritikuar nga komuniteti ndërkombëtar dhe ndaj industrisë së naftës nën kontrollin e shtetit.
Departamenti i Thesarit tha se sanksionet prekin bankën “Evrofinance Mosnarbank”, të themeluar në vitin 2011, me synimin për të siguruar financime për projekte të përbashkëta të Rusisë dhe Venezuelës në sektorët e naftës dhe të infrastrukturës. Sipas Departamentit të Thesarit, këto aktivitete të bankës në fjalë janë një përpjekje për shmangien e sanksioneve amerikane ndaj Venezuelës.
“Ky vendim tregon se Shtetet e Bashkuara do të marrin masa kundër institucioneve të huaja financiare që mbështesin regjimin e paligjshëm të Nicolas Maduros dhe kontribuojnë në shkatërrimin e ekonomisë dhe në krizën humanitare që ka pllakosur popullin e Venezuelës”- tha përmes një deklarate Sekretari amerikan i Thesarit Steven Mnuchin.
Shtetet e Bashkuara dhe më tepër se 50 qeveri të tjera njohin udhëheqësin e opozitës të Venezuelës Juan Guaido, si president të vendit dhe thonë se zoti Maduro, i cili u zgjodh në mënyrë të paligjshme vitin e kaluar, ngaqë udhëheqësve të opozitës nuk ju lejua të kandidonin.
Sanksionet e së hënës janë përpjekja më e fundit e administratës Trump për ta detyruar zoti Maduro të largohet nga pushteti./VOA