SHBA, ruajtja e sekreteve ushtarake në duart e rusëve

schedule08:10 - 13 Dhjetor, 2018

schedule 08:10 - 13 Dhjetor, 2018

Një zbulim i BBC që hedh dritë mbi lidhje të Pentagonit me oligarkët rusë ka futur në ethe krerët e ushtrisë amerikane. Sipas rrjetit informativ britanik, Departamenti i Mbrojtjes i ka besuar kompanisë në pronësi të një oligarku të sanksionuar ruajtjen e sekreteve ushtarake.

Partneriteti i një kompanie të kontraktuar nga Pentagoni me një oligark rus të sanksionuar ka futur në ethe krerët e ushtrisë amerikane. Sipas BBC, që ka zbuluar lidhjen, kompania e njohur në fushën e teknologjisë ka fituar tenderin e Departamentit të Mbrojtjes për ruajtjen e sekreteve ushtarake. Bëhet fjalë për projektin “Xhedi”, një arkivë kibernetike e ngjashme me e-cloud, ku mund të depozitohen edhe kodet sekrete bërthamore.

Viktor Vekselberg, njeri i afërt me Kremlinin dhe me lidhje me grupin C5, aktiv në investimet kibernetike, ka bashkëpunuar ngushtë me kontraktuesin udhëheqës, Amazon Web Services. Të kontaktuara nga BBC, dy kompanitë kanë mohuar përfshirjen në projektin “Xhedi”, por për rrjetin informativ britanik kontratat tashmë janë nënshkruar.

“Xhedi”, që synon mbledhjen në një infrastrukturë të vetme të informacioneve ushtarake, është projekti më ambicioz i ndërmarrë në vitet e fundit nga Pentagoni, për të qenë në pararojë me Rusinë dhe Kinën. Në vend që të dhënat ushtarake të arkivohen në servera të vegjël të vendosur në departamente të ndryshme të Pentagonit, ato do të mblidhen në një “re” të vetme.

“Reja” është termi i përdorur për të përshkruar një numër serverash në distancë të lidhur me internetin, që mund të arkivojë informacione të përmasave kolosale dhe që mund të jetë e aksesueshme kudo në botë. “Reja” do të përmbajë të dhëna të klasifikuara për sistemet e armatimeve, personelin ushtarak, shërbimet e inteligjencës dhe operacionet e tyre.

Gjithashtu, ajo do t’u ofrojë ushtarëve në frontin e luftës akses të menjëhershëm tek të gjitha informacionet, për t’i bërë ata më efikas në fushën e betejës. I kontaktuar nga BBC për një koment, Pentagoni ka refuzuar të përgjigjet duke deklaruar se informacionet mbi kompanitë e kontraktuara mbeten të klasifikuara./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!