SHBA, rritje e qëndrueshme e rasteve me koronavirus

schedule15:20 - 14 Korrik, 2021

schedule 15:20 - 14 Korrik, 2021

Shtetet e Bashkuara po përballen një rritje të re të numrit të infeksioneve me COVID-19, pasojë e përhapjes së variantit më ngjitës Delta, si dhe normave të ulëta të vaksinimit në disa shtete.

Mes dhjetëra shteteve që po raportojnë një rritje të qëndrueshme të infeksioneve të reja me COVID-19 është ai i Mizurit, i cili ka një nga normat më të ulëta të vaksinimit në vend. Rreth 45 për qind e banorëve të këtij shteti kanë marrë të paktën një dozë të vaksinës, një shifër e ulët krahasuar me mesataren kombëtare që llogaritet të jetë të paktën 55 për qind. Situata paraqitet më problematike në zonat rurale të këtij shteti, ku janë imunizuar më pak se 25 për qind e banorëve.

Zyrtarët e qarkut të Seint Luisit thonë se rastet e reja të koronavirusit janë rritur me 63 për qind në dy javët e fundit.

Situata e përkeqësuar në Mizuri ka nxitur administratën Biden të ngrejë një ekip të përbërë nga ekspertë të Qendrave Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve dhe agjenci të tjera për të ndihmuar zyrtarët lokalë në përpjekjet e tyre për testim e vaksinim të popullatës.

Kjo rritja e re e infeksioneve vjen për shkak të një mosbesimi të përgjithshëm ndaj vaksinave së bashku me rritjen e një kundërshtimi me qasje politike, në disa shtete.

Në Tenesi, Dr. Michelle Fiscus, e cila drejtonte programin e këtij shteti për sëmundjet e parandalueshme nga vaksinat dhe imunizimin, tha se ajo u pushua nga puna këtë javë pas një reagimi nga ligjvënësit konservatorë të shtetit mbi përpjekjet e saj për të rritur ndërgjegjësimin tek adoleshentët e të rinjtë, rreth vaksinave kundër COVID-19-s.

Zonja Fiscus tha se shkarkimi ishte nxitur nga një dokument që ajo kishte shkruar, ku sugjeronte se disa adoleshentë mund të gëzojnë të drejtën ligjore për vaksinim pa pëlqimin e prindërve të tyre./VOA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!