Administrata e presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, së fundmi ka rikthyer Kubën në në listën e sponsorëve shtetërorë të terrorizmit.
Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, ka deklaruar se Kuba futet në listën e zezë për mbështetje të vazhdueshme të akteve të terrorizmit ndërkombëtar.
Pompeo po ashtu përmendi mbështetjen e Kubës për presidentin e Venezuelës, Nicolas Maduro, të cilin SHBA-ja refuzon ta njohë. Në përgjigje, ministri i Punëve të Jashtme i Kubës, Bruno Rodriguez, tha se e dënon “kualifikimin cinik dhe hipokrit të Kubës si një shtet sponsor i terrorizmit”.
Kuba është hequr prej listës së zezë nga ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, në vitin 2015, por Trump ka marrë një qëndrim më të ashpër ndaj këtij vendi. Që nga epoka e Luftës së Ftohtë, SHBA-ja ka ndjekur politika të ndryshme për të minuar Kubën, duke e parë atë si kërcënim të madh.
Kuba tani ribashkohet me Iranin dhe Korenë e Veriut në listën e sponsorëve të terrorizmit./abcnews.al