SHBA, Rebelohet Trump, ndërpret bashkëpunimin me demokratët

schedule23:45 - 22 Maj, 2019

schedule 23:45 - 22 Maj, 2019

Presidenti Donald Trump i ka dhënë fund të mërkurën bashkëpunimit me demokratët, duke u thënë atyre se nëse dëshirojnë koordinim ndërpartiak për të mirën e Shteteve të Bashkuara, më parë duhet të mbyllin hetimet e shumta të hapura ndaj tij.

Presidenti Donald Trump ka shpërthyer të mërkurën ndaj liderëve demokratë, pas deklaratave të tyre se ai po përpiqet të mbulojë aferat e tij. “Unë nuk po mbuloj asgjë”, tha presidenti republikan në një deklaratë të jashtëzakonshme për shtyp nga Shtëpia e Bardhë.

Reagimi i tij erdhi pasi kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nensi Pelozi u takua me figurat kyçe të demokratëve për të diskutuar inkriminimin e presidentit.

Trump ndodhet në një periudhë përballjeje me Kongresin, gjatë të cilës ka injoruar thirrjet për të dëshmuar, ka refuzuar publikimin e dokumentave dhe ka bllokuar dëshmitë e ish-këshilltarëve të tij.

Presidenti mbajti të mërkurën një takim me liderët demokratë, Pelozi dhe Çak Shumer, që kishte në fokus bashkëpunimin për investimet në infrastrukturë, por që u mbyll pas vetëm 5 minutash.

Më pas Trump u tha gazetarëve se gjithçka që po bëjnë demokratët është një përpjekje për rrëzimin e tij.

“I thash senatorit Shumer dhe kryetares Pelosi se unë dua të bëj projekte në infrastrukturë, por më parë ata duhet t’u japin fund këtyre hetimeve farsë”, deklaroi Trump.

Shefi i Shtëpisë së Bardhë përjashtoi çdo bashkëpunim të mëtejshëm me demokratët.

Ua kam thënë që në fillim, nuk mund të ecni në dy korsi. Ose do të ecni në atë të hetimeve, ose në atë të infrastrukturës”, shtoi Trump./ABC News Albania

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!