SHBA propozon konfederatë me Jordaninë për Palestinën

schedule20:19 - 3 Shtator, 2018

schedule 20:19 - 3 Shtator, 2018

Administrata amerikane nuk mbështet zgjidhjen “dy popuj, dy shtete” për konfliktin mes Izraelit dhe Palestinës. Uashingtoni tashmë ka propozuar zgjidhjen e këtij problemi duke vendosur Palestinën në një konfederatë me Jordaninë.

Administrata Trump zhduk zgjidhjen “dy popuj, dy shtete”, që drejtoi 25 vite tratativa mes palestinezëve dhe Izraelit, dhe porpozon për presidentin Abu Mazen “një konfederatë me Jordaninë”. Këtë e ka zbuluar vetë lideri palestinez në një takim me aktivistë izraelitë të “PeaceNow” dhe deputetë të opozitës. “Amerikanët më kanë propozuar një konfederatë me Jordaninë”, shpjegoi ai. “Jam përgjigjur që dëshiroja si një konfederatë me Jordaninë ashtu edhe me Izraelin”, shtoi Abu Mazen. Kjo në fakt ishte një mënyrë për të thënë jo pasi shteti hebre nuk do të pranojë kurrë një bashkim të tillë.

Konfederata është një ide e vjetër, që u përjashtua nga marrëveshja e Oslos në vitin 1993. Tashmë presidenti amerikan Donald Trump ka krijuar boshtin qëndror të “marrëveshjes së tij të shkullit” me këshillimin e treshes që drejton negociatat e reja: këshilltarin në Shtëpinë e Bardhë Jared Kushner, të dërguarin special Jason Greenblat dhe ambasadorin në Izrael, David Friedman. Presidenti premtoi javën e kaluar që palestinezët do të merrnin “diçka shumë të mirë” për të kompensuar zhvendosjen e ambasadës së SHBA në Jeruzalem, një veprim që i hap rrugë njohjes së Qytetit të Shenjtë si kryeqytet të vetëm dhe të pandarë të Izraelit.Por “dhurata” e SHBA-ve, pra konfederata, është e destinuar të shtojë edhe më shumë zemërimin e palestinezëve, të cilët në kufirin e Gazës kanë zhvilluar 5 muaj manifestime, me një bilanc me mbi 160 viktima.

Ideja e një konfederate me Jordaninë është e mbështetur kryesisht nga partia e kryeministrit Benjamon Netanjahu, Likud. Nuk i pëlqen lidershipit palestinez, që i duhet të heqë dorë nga ëndrra e një sovraniteti të plotë. Bregu Perëndimor ishte pjesë e mbretërisë Hashemite nga viti 1949 deri më 1967, por në vitin 1988 Amman hoqi të gjitha pretendimet territoriale, pikërisht për të hapur rrugën për shtetin e pavarur palestinez. Më pas, nën presionin e presidentit të atëhershëm amerikan Bill Clinton, në vitin 1993 u arrit një marrëveshje që parashikon “dy popuj, dy shtete”, me atë Palestinez që do të shtrihej në Bregun Perëndimor dhe në Gazë, përveç ndryshimeve të vogla të kufijve. Por negociatat që prej asaj kohe kanë ngecur./abcnews.al