Prokurori i përgjithshëm në Shtetet e Bashkuara nuk i është përgjigjur thirrjes së Kongresit për të dorëzuar variantin origjinal të raportit mbi ndërhyrjen ruse. Kjo ka detyruar demokratët, që kontrollojnë Dhomën e Përfaqësuesve, të ndërmarrin një aksion procedimi ndaj tij.
Demokratët në Dhomën e Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara kanë vendosur të ndërmarrin një aksion ndaj prokurorit të përgjithshëm Ëilliam Barr, duke e akuzuar atë për shpërfillje.
Vendimi u mor pasi kryeprokurori refuzoi sërish thirrjen e komisionit gjyqësor të Kongresit për të dorëzuar një kopje të paredaktuar të raportit të hetuesit të posaçëm Robert Mueller, mbi ndërhyrjen ruse.
Më herët, Departamenti i Drejtësisë e kishte quajtur thirrjen “të nxituar dhe të panevojshme”. Por Komisioni për çështjet gjyqësore i udhëhequr nga demokratët ka deklaruar se një proces votimi në dëm të kryeprokurorit Barr do të mbahet ditën e mërkurë.
Numri 1 i Departamentit të Drejtësisë, i caktuar në këtë post nga presidenti Donald Trump, gjithashtu shkeli javën e kaluar një afat të vendosur nga Kongresi për publikimin e një versioni të pacensuruar të raportit.
Jerrold Nadler, kryetar i komisionit gjyqësor, deklaroi të hënën se Kongresi duhet ta shohë raportin të plotë dhe se dështimi i Barr për t’u përballur me thirrjen nuk lë vend për gjë tjetër përveç një procedimi për shpërfillje. 6 komisione në Dhomën e Përfaqësuesve, e kontrolluar nga demokratët, kërkojnë publikimin e plotë të raportit të Mueller, në kudër të hetimeve që po zhvillojnë ndaj presidentit Donald Trump./ABC News Albania 24/7