Presidentja e Universitetit të Kolumbias në Neë York, Minouche Shafik njoftoi dorëheqjen e saj duke përmendur një periudhë krize, gjatë së cilës institucioni u bë fokusi i protestave të studentëve kundër luftës në Gaza. Dorëheqja e Shafik vjen vetëm një vit pasi ajo mori postin në universitet.
Shafik tani është presidentja e tretë e një universiteti të Ivy League që jep dorëheqjen për trajtimin e protestave të luftës në Gaza. Universiteti, të cilin ajo e drejtoi që nga korriku 2023, ishte ndër të parët që u mobilizua në fillimin e luftës në Rripin e Gazës, ku janë vrarë mijëra civilë dhe plagosur shumë të tjerë.
Katrina Armstrong, shefe ekzekutive e Qendrës Mjekësore Irving të Universitetit të Kolumbias, do të shërbejë si presidente e përkohshme.
Kampuset e kolegjeve amerikane kanë qenë një pikë e nxehtë për protestat e luftës në Gaza që kur Hamasi sulmoi Izraelin më 7 tetor, dhe pas inkursionit të Izraelit në Rripin e Gazës.
Aktivistët dhe studentët u larguan me forcë më 30 prill nga policia dhe ceremonia e madhe tradicionale e diplomimit u anulua. Që atëherë, shumica e studentëve janë larguar nga kampusi për pushime verore.
Universiteti privat është akuzuar nga njëra anë se nuk ka luftuar mjaftueshëm fuqishëm kundër antisemitizmit dhe nga ana tjetër se është tepër i ashpër ndaj studentëve pro-palestinezë, duke nxitur policinë të ndërhyjë./abcnews.al