SHBA, përplasen grupe të së djathtës ekstreme dhe anti-fashiste

schedule18:54 - 18 Gusht, 2019

schedule 18:54 - 18 Gusht, 2019

Përleshje mes fraksioneve të së djathtës ekstreme dhe lëvizjes anti-fashiste janë verifikuar në Portland të Shteteve të Bashkuara, ku ka patur edhe akte dhune. Policia, që ndërhyri për të ndarë dy grupet, arrestoi 13 persona të pajisur me armë të ftohta.

Policia në Portland të Shteteve të Bashkuara ka arrestuar të paktën 13 persona, pasi një grup i së djathtës ekstreme marshoi në rrugët e qytetit dhe u përball me një grup tjetër anti-fashist që kishte dalë për t’i bërë rezistencë.

Ishin disa qindra mbështetës të organizatës “Djemtë Krenarë” që hasën në praninë e një numri analog protestuesitsh të lëvizjes “Antifa” dhe mes palëve pati përleshje sporadike.

Të paktën gjashtë persona morën plagë të lehta nga përleshjet, bëri të ditur policia, e cila ndërhyri për të ndarë dy grupet. Oficerët deklaruan se sekuestruan lloje të ndryshme armësh, përfshirë spraj kimik, leva hekuri dhe druri, thika, etj.

Në kulmin e manifestimeve në rrugë ishin rreth 1 mijë e 200 protestues – bëri të ditur një zyrtare e lartë e policisë. Personat e arrestuar akuzohen për prishje të rendit publik, përplasje me policinë, rezistencë ndaj arrestimit dhe përdorim të palilgjshëm të armëve.

Fraksionet e ekstremit të djathtë dhe ato anti-fashiste në Portland janë përplasur disa herë në muajt e fundit, përfshirë në një rast që degradoi në dhunë korrikun e kaluar.

Disa orë përpara manifestimeve reagoi edhe vetë presidenti Donald Trump, i cili etiketimin e lëvizjes “Antifa” si një organizatë terroriste e quajti “një konsideratë të madhe” që po i bëhet asaj./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!