SHBA, përpjekje për mbrojtje globale nga kërcënimi që paraqet inteligjenca artificiale

schedule14:30 - 2 Nëntor, 2023

schedule 14:30 - 2 Nëntor, 2023

Nënpresidentja amerikane Kamala Harris thotë se udhëheqësit botëror kanë “një detyrim moral, etik dhe shoqëror” për të mbrojtur njerëzimin nga rreziqet që paraqet inteligjenca artificiale. Në një takim mbi këtë çështje në Londër, ajo bëri thirrje për një përpjekje globale në këtë drejtim. Analistët mendojnë se një element i rëndësishëm është mbikëqyrja e vazhdueshme nga njeriu e inteligjencës artificiale.

Inteligjenca artificiale është një teknologji e re interesante. Njerëzit kanë hedhur sasi të mëdha të dhënash në makineri, të cilat mund të bëjnë llogaritje më të shpejta dhe kanë kujtesë më të mirë sesa njerëzit. Kjo teknologji mund të përdoret për të krijuar vepra arti, për të diktuar rastet e mbytjes, për të shpëtuar jetë përmes diagnostikimeve më të sakta mjekësore dhe për të krijuar zhurmë të çuditshme.

Por, si shumë teknologji të tjera, inteligjenca artificiale mund të përdoret edhe për mashtrim, keqinformim dhe dëmtim të njerëzve.

Në fillim të kësaj jave, Presidenti amerikan Joe Biden nënshkroi një urdhër ekzekutiv, i cili krijon standarde të reja, përfshirë detyrimin për të krijuesit e programeve me inteligjencë artificiale që të raportojnë rezultatet e provave të sigurisë dhe informacione të tjera jetike tek qeveria e Shteteve të Bashkuara.

Nënpresidentja amerikane Kamala Harris, në takimin mbi sigurinë e teknologjisë së inteligjencës artificiale në Londër, njoftoi gjithashtu të mërkurën themelimin nga qeveria të Institutit të Sigurisë për Inteligjencën Artificiale dhe bëri publik një plan për hartimin e politikave mbi përdorimin nga qeveria të inteligjencës artificiale. Ajo gjithashtu njoftoi krijimin e rregullave për përdorim të përgjegjshëm të kësaj teknologjie nga ushtria.

“Për të krijuar rregull dhe qëndrueshmëri mes ndryshimeve teknologjike globale, besoj fortë se ne duhet të veprojmë mbi bazat e një kuptimi të ndërsjellë mes vendeve. Për këtë arsye, Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të punojnë me aleatët the partnerët për të zbatuar rregullat dhe normat ekzistuese ndërkombëtare për inteligjencën artificiale dhe për të krijuar rregulla dhe norma të reja për këtë çështje”, tha Nënpresidentja Harris.

Ligjvënësit amerikanë kanë mbajtur disa seanca dëgjimore për këtë çështje më herët këtë vit, në të cilat udhëheqës të industrisë si shefi ekzekutiv i kompanisë OpenAI, Sam Altman, kanë detajuar shqetësimet e tyre për teknologjinë e inteligjencës artificiale.

“Frika ime më e madhe është mundësia që industria jonë t’i shkaktojë botës një dëm të madh. Mendoj se kjo mund të ndodh në mënyra të shumta”, tha ai.

Në takimin e Londrës, miliarderi dhe sipërmarrësi Elon Musk, i cili po punon në programe të inteligjencës artificiale, tha se e sheh inteligjencën artificiale si “njërin nga kërcënimet më të mëdha” të shoqërisë. Ai bëri thirrje për një “palë të tretë” për mbikëqyrje të kësaj teknologjie.

“Për herë të parë në histori, po ndeshemi me diçka që do të jetë shumë me e avancuar dhe më inteligjente se ne. Nuk është e qartë për mua nëse ne mund ta kontrollojmë këtë gjë. Por, mendoj se ne mund ta orientojmë atë në një drejtim, që mund të jetë i dobishëm për njerëzimin. Por, mendoj se ky është një nga kërcënimet ekzistenciale me të cilat ne po përballemi dhe ka potencialin të bëhet një çështje urgjente”, tha ai.

Analistët thonë se zyrtarët qeveritarë dhe ata të industrisë së teknologjisë nuk kanë nevojë të gjejnë një zgjidhje të vetme, por për një bashkërendim të vlerave jetike për monitorimin e teknologjisë së inteligjencës artificiale.

“Është në rregull të kemi qasje të shumta dhe më pas, aty ku është e mundur, një bashkërendim për t’u siguruar që vlerat demokratike të rrënjosen në sistemet globale që kontrollojnë këtë teknologji”, thotë ekspertja Jessica Brandt nga Instituti Brookings.

Por, në fund, aftësitë dhe dobësitë e inteligjencës artificiale, të paktën deri tani, duket se janë të kufizuara nga një forcë e paparashikueshme, e aftë për të bërë mirë dhe keq, shpesh me një natyrë të çuditshme njerëzore./VOA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!