SHBA, parandalohet vrasja në masë në Kaliforni

schedule19:02 - 22 Gusht, 2019

schedule 19:02 - 22 Gusht, 2019

Policia në Shtetet e Bashkuara ka shmangur një masakër me armë zjarri në ambientet e një hoteli. Zbulimi i planit është bërë i mundur falë një punonjësi të hotelit, që denoncoi kolegun e tij i cili po përgatiste planin.

Punëtori i një hoteli në Kaliforni ka parandaluar një vrasje në masë, pasi ka denoncuar tek autoritetet kolegun e tij që kishte kërcënuar se do të vriste stafin dhe mysafirët e ndërtesës.

Duke vepruar menjëherë pas marrjes së informacionit, oficerët e policisë arrestuan një 37-vjeçar që ishte i pajisur me armë automatike dhe municione të shumta në shtëpinë e tij në Los Anxheles.

Ngjarja vjen në një kohë kur FBI po përpiqet të parandalojë episode të tilla, pas atyre të verifikuara më herët gjatë muajit në El Paso dhe Deyton, ku mbetën të vrarë 31 persona.

Që prej atëherë autoritetet amerikane kanë deklaruar se kanë shmangur një seri komplotesh për të kryer sulme, disa prej të cilëve do të kishin vënë në shënjestër minoritetet.

FBI thuhet se ka udhëzuar oficerët e saj në terren që të kryejnë kontrolle dhe të asgjësojnë rrezikun, si dhe i ka bërë thirrje qytetarëve që të denoncojnë çdo kërcënim apo aktivitet të dyshimtë.

Sa i takon rastit të fundit, autoritetet kanë vlerësuar veprimin e punonjësit të hotelit që denoncoi kolegun e tij.

Nga hetimet paraprake ka rezultuar se planifikuesi i masakrës, i identifikuar si Roberto Montoja, ishte përgatitur të kryente një akt dhune që mund të çonte në shumë viktima.

Në banesën e tij forcat e rendit gjetën armë të llojeve të ndryshme, përfshirë një automatik, municione të shumta dhe veshje e pajisje për operacione ushtarake taktike.

“Ai i kishte planet e qarta, por falë Zotit kolegu i tij e denoncoi tek ne”, tha një zyrtar i policisë lokale./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!