SHBA, “opsion kolumbian” për Venezuelën

schedule22:49 - 29 Janar, 2019

schedule 22:49 - 29 Janar, 2019

Shtëpia e Bardhë po shqyrton dërgimin e trupave ushtarake në kufirin mes Kolumbisë dhe Venezuelës. Ndonëse lajmi i publikuar në mediat amerikane nuk ka gjetur ende një konfirmim, opsioni ka gjasa të jetë real në një kohë kur Rusia ka dërguar në vendin latin një grup mercenarësh.

Në qarqet e administratës amerikane ka nisur të qarkullojë ai që njihet si “opsioni kolumbian”, ose dërgimi i trupave në kufirin mes Kolumbisë dhe Venezuelës, ku kriza sa vjen e thellohet. Mediat amerikane bëjnë të ditur se në nivele zyrtare përflitet për dërgimin e 5 mijë trupave, por sekretari në detyrë i Mbrojtjes, Patrik Shejnahan ka refuzuar të japë një përgjigje konkrete. I pyetur në një konferencë shtypi, shefi i Pentagonit ka deklaruar se nuk e ka diskutuar çështjen me këshilltarin e Shtëpisë së Bardhë për sigurinë kombëtare, Xhon Bolton.

Ishte ky i fundit që ngriti dyshimet për qëllimet amerikane në Venezuelë, pasi u shfaq në një deklaratë ditën e hënë, me një dosje ku shkruhej “5 mijë trupa në Kolumbi”, vend që është fqinj me Venezuelën. Ndërkohë përflitet se mercenarë rusë ndodhen tashmë në vendin latin, duke punuar në krah të presidentit Nikolas Maduro, i cili po përforcon masat e sigurisë përballë presionit të opozitës.

Agjencia e lajmeve “Reuters” citon burime të afërta me kompaninë private ushtarake ruse “Vagner”, që konfirmojnë se operativë rusë kanë mbërritur në vendin latin. Sipas burimeve, kontraktorët rusë kanë udhëtuar drejt Venezuelës nga vende të treta, ku më parë kanë kryer operacione ushtarake. Ministria ruse e Mbrojtjes dhe Ministria e Informacionit në Venezuelë kanë refuzuar t’i përgjigjen agjencisë së lajmeve, ndërsa zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov ka deklaruar se Moska nuk e ka një informacion të tillë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!