Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së, Lloyd Austin, ka njoftuar për një paketë të re të ndihmës ushtarake prej 500 milionë dollarësh, si pjesë e qëllimit të administratës në largim të presidentit Joe Biden për të dërguar sa më shumë të jetë e mundur mbështetje para se presidenti i zgjedhur, Donald Trump, të rikthehet në detyrë.
Paketa përfshin “raketa shtesë për mbrojtjen ajrore të Ukrainës, më shumë municione, më shumë pajisje ajër-tokë dhe pajisje të tjera për të mbështetur F 16-shat e Ukrainës”, tha Austin.
Austin foli në një takim me grupin e kontaktit në bazën ajrore amerikane në Gjermani, Ramstein, i cili përbëhet prej rreth 50 shtetesh partnere që sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së mblodhi për të koordinuar mbështetjen me armë disa muaj pasi Rusia nisi pushtimin e saj të plotë të Ukrainës në shkurt të vitit 2022.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskiy, i cili gjithashtu po merr pjesë në takim, u bëri thirrje vendeve evropiane që të bashkohen rreth Kievit nëse mbështetja amerikane dobësohet nën administratën e re të Shtëpisë së Bardhë.
“Është e qartë se një kapitull i ri po fillon për Evropën dhe të gjithë botën – vetëm 11 ditë nga tani, një kohë kur duhet të bashkëpunojmë edhe më shumë, të mbështetemi te njëri-tjetri edhe më shumë dhe të arrijmë rezultate edhe më të mëdha së bashku. E shoh këtë si një kohë mundësish”, tha ai.
Ministri i Mbrojtjes i Ukrainës, Rustem Umerov, gjithashtu në Ramstein, tha se pret që liderët e koalicioneve të mbrojtjes të miratojnë “udhërrëfyes” për qëllimet strategjike dhe nevojat kyç për ndihmën ushtarake deri të paktën në fund të vitit 2027.
“Këto dokumente, të zhvilluara dhe dakorduara së bashku nga Ukraina dhe partnerët, do të bëhen bazë për mbështetjen dhe alokimin e ndihmës në fusha si mbrojtja ajrore, artileria, automjetet e blinduara, dronët, forcat ajrore, siguria detare dhe fusha të tjera të rëndësishme. Ka shumë punë përpara”, shtoi ai pas takimit me sekretarin Austin.
Takimi në Ramstein u mbajt një ditë pasi Ukraina pësoi një nga humbjet më të rënda në njerëz në javët e fundit – një sulm në qytetin jugor të Zaporizhjas që vrau 13 civilë. Autoritetet besojnë se Rusia e kreu sulmin duke përdorur bomba rrëshqitëse të drejtuara mbi një objekt industrial.
Ukraina pretendoi më herët më 8 janar se forcat e saj goditën një depo nafte brenda Rusisë që shërbente si bazë strategjike ajrore në rajonin jugor të Saratovit. Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë ukrainase tha se sulmi krijoi probleme serioze logjistike për aviacionin rus dhe uli ndjeshëm aftësinë e tij për t’i sulmuar qytetet dhe objektet civile ukrainase.
Anëtarët e grupit të kontaktit kanë thënë se takimi i 9 janarit mund të jetë i fundit, pasi fati i tij mbetet i paqartë nën administratën e Trumpit.
Administrata në largim e SHBA-së ka punuar për të dërguar sa më shumë ndihmë të jetë e mundur për Ukrainën para se Trumpi të marrë detyrën më 20 janar, për të përmirësuar pozicionin negociues të Kievit. Trump – i cili ka kritikuar në mënyrë të përsëritur ndihmën amerikane për Kievin – ka pretenduar se mund të negociojë shpejt për t’i dhënë fund luftës pasi të rikthehet në detyrë.
Kjo ka ngritur frikën në Ukrainë se çdo negociatë e organizuar me ngut do të përdoret nga Rusia për të mbajtur territoret ukrainase që ajo pushton dhe për t’i lejuar trupat e saj të pushojnë dhe të armatosen sërish.
Austin ka thënë se është e rëndësishme që grupi i kontaktit të vazhdojë të ofrojë ndihmë ushtarake, ndërsa ministri i Mbrojtjes i Gjermanisë, Boris Pistorius, ka paralajmëruar gjithashtu kundër dobësimit të mbështetjes nga Perëndimi për Ukrainën./REL