SHBA nxit arritjen e marrëveshjes për t’i dhënë fund luftës në Gazë

schedule18:08 - 4 Shtator, 2024

schedule 18:08 - 4 Shtator, 2024

Pas javësh të tëra dëshpërimi në Gazë u ndje pak shpresë – përgjatë dy ditëve të një fushate vaksinimi kundër poliomielitit të udhëhequr nga OKB-ja është bërë i mundur vaksinimi i një të katërtës të fëmijëve të pambrojtur të rajon.

Por zyrtarët humanitarë thonë se kjo pauzë humanitare nuk mjafton.

“Për të shënuar një përparim të vërtetë është i nevojshëm një armëpushim, kërkohet një proces paqeje dhe më pas të ecet përpara hap pas hapi”, thotë Dr. Rik Peeperkorn nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Por ndërsa afrohet 1 vjetori i konfliktit, nuk ka sinjale për paqe dhe zemërimi është shtuar.

Zemërimi ndihet tek të gjitha palët, tek protestuesit izraelitë që thonë se qeveria dështoi së fundmi të shpëtonte 6 pengjet që u vranë nga Hamasi dhe nuk është e aftë të bëjë mjaftueshëm për personat që vazhdojë të mbahen peng, tek palestinezët për dhunën që ka shkatërruar Gazën, zemërim duket se ndjen edhe President i Shteteve të Bashkuara Joe Biden që për javë të tëra, larg syrit të publikut, ka mbikqyrur negociatat për armëpushim. Shtëpia e Bardhë thotë se shpreson të përmbyllë një marrëveshje së shpejti, por zoti Biden është përballur së fundmi me një pengesë.

Kur një gazetar e pyeti atë nëse kryeministri izraelit Netanyahu po bën mjaftueshëm, Presidenti u përgjigj: “Jo”.

Të martën, zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë thanë se “vazhdojnë të punojnë” me palët e ndryshme në Egjipt dhe Katar për të arritur një marrëveshje që sipas zëdhënësit John Kirby përmban tre elementë, megjithëse nuk pranoi të jepte specifikat e planit amerikan.

“Ne po punojmë për një propozim që do të bëjë të mundur lirimin e pengjeve të mbetura dhe do të përfshijë lehtësim masiv dhe të menjëhershëm për popullin e Gazës dhe gjithashtu do të çojë në një ndalim të luftimeve”, tha John Kirby, Këshilltar i Shtëpisë së Bardhë për Çështje të Sigurisë Kombëtare.

Analistët shprehen se arritja e një kompromisi po dështon për arsye të ndryshme tek disa palë – Hamasi i druhet një marrëveshje që do të çonte në humbjen e statusit të tij në territoret palestineze dhe Izraeli synon të ruajë kontrollin në disa pjesë të Gazës. Por në mes të kësaj drame, është edhe një aktor tjetër që mund të humbasë në rast se dështon arritja e një marrëveshjeje: Uashingtoni.

“Nëse ne negociojmë, nëse nuk bëjmë dot trysni mbi miqtë tanë, mbi aleatët tanë, për diçka që është të mirën e tyre dhe më pas më gjerë në të mirë të të gjithë rajonit, atëherë nuk jam e sigurt se përse përfshirja jonë do të konsiderohej e vlefshme?, thotë Mirette Mabrouk nga Instituti i Lindjes së Mesme.

Por, po njerëzit që po jetojnë në mes të gjithë kësaj?

Ata nuk e kanë ndjerë kurrë paqen./VOA