SHBA: Nuk do të ketë paketë shpëtimi financiar për bankën që falimentoi

schedule23:43 - 12 Mars, 2023

schedule 23:43 - 12 Mars, 2023

Sekretarja e Thesairt Janet Yellen tha të dielën se qeveria federale nuk do të ofrojë paketë shpëtimi financiar për Bankën Silicon Valley, por se po punon për të ndihmuar qytetarët që kanë depozita në këtë bankë, të cilët janë të shqetësuar për fatin e parave të tyre.

Korporata Federale për Sigurimin e Depozitave ofron siguracion për depozitat deri në 250 mijë dollarë, por shumë nga kompanitë dhe personat e pasur që përdornin këtë bankë – të njohur për marrëdhëniet me kompanitë e teknologjisë dhe të investimit të kapitalit – kishin mbi këtë shumë në llogaritë e tyre. Ekziston frika se disa punonjës në mbarë vendin nuk të marrin pagat e tyre.

Zonja Yellen, duke folur në një intervistë për emisionin “Face the Nation” të kanalit CBS, dha pak detaje për hapat e ardhshëm të qeverisë. Por, ajo theksoi se situata është shumë më e ndryshme nga kriza financiare e gati 15 viteve më parë, që u pasua me paketa shpëtimi financiar për bankat, me qëllimin për ta mbrojtur këtë sektor.

“Nuk do ta bëjmë më këtë”, tha ajo. “Por jemi të shqetësuar për depozituesit dhe jemi të fokusuar në përpjekjen për të përmbushur nevojat e tyre”.

Me bursën Wall Street të tronditur tashmë, zonja Yellen u përpoq të siguronte amerikanët se nuk do të ketë efekt domino pas falimentimit të Silicon Valley Bank.

“Sistemi bankar amerikan është vërtet i sigurtë dhe i kapitalizuar mirë”. tha ajo. “Është i qëndrueshëm”.

Silicon Valley Bank, me qendër në Santa Clara, Kaliforni, është banka e 16-të më e madhe e vendit. Ky është dështimi i dytë më i madh bankar në historinë e Shteteve të Bashkuara, pas falimentimit të Washington Mutual në vitin 2008. Banka u shërbente kryesisht personave që punonin në sektorin e teknologjisë dhe kompanive të mbështetura nga kapitali sipërmarrës, përfshirë disa nga markat më të njohura të industrisë.

Silicon Valley Bank filloi shkonte drejt falimentimit kur klientët e saj, kryesisht kompani teknologjike që kishin nevojë për para ndërsa përpiqeshin të merrnin financime, filluan të tërhiqnin depozitat e tyre. Bankës iu desh të shiste bono me humbje për të mbuluar tërheqjet, duke sjellë kështu dështimin më të madh të një institucioni financiar amerikan që nga kulmi i krizës financiare.

Zonja Yellen e cilësoi rritjen e normave të interesit, të cilat janë rritur nga Rezerva Federale për të luftuar inflacionin, si problemin kryesor për Silicon Valley Bank. Shumë nga aktivitetet e saj, të tilla si bonot ose letrat me vlerë të mbështetura nga siguracionet, humbën vlerën e tregut ndërsa normat u rritën.

“Problemet me sektorin e teknologjisë nuk janë në epiqendër të problemeve në këtë bankë”, tha ajo.

Zonja Yellen tha se ajo priste që organet rregullatore të konsideronin “një gamë të gjerë opsionesh të disponueshme”, përfshirë blerjen e Silicon Valley Bank nga një institucion tjetër. Megjithatë, deri më tani, nuk është shfaqur asnjë blerës i mundshëm.

Presidenti Joe Biden dhe guvernatori demokrat i Kalifornisë, Gavin Newsom, biseduan të shtunën rreth “përpjekjeve për të zgjidhur situatën”, megjithëse Shtëpia e Bardhë nuk dha detaje shtesë për hapat e ardhshëm.

Zoti Newsom tha se qëllimi ishte “stabilizimi i situatës sa më shpejt të jetë e mundur, për të mbrojtur vendet e punës, jetesën e njerëzve dhe të gjithë ekosistemin e inovacionit që ka shërbyer si një shtyllë qendrore për ekonominë tonë”./VOA