Administrata amerikane ka nisur dërgimin e ndihmave humanitare në Venezuelë, ku mungojnë ushqimet bazë dhe medikamentet. Ndihmat do të depozitohen në kufi me vendet fqinje, pasi presidenti Nicolas Maduro nuk i ka lejuar me argumentin se janë një pretekst për ndërhyrje ushtarake.
Shtetet e Bashkuara kanë njoftuar nisjen e ndihmave humanitare në Venezuelë, pas kërkesës së liderit të opozitës Juan Guaido, i vetëshpallur president i përkohshëm i vendit. Guadio nuk kontrollon ndonjë territor në Venezuelë, ndaj dhe ndihmat do të depozitohen në qendra të ngritura në vendet fqinje, ku janë strehuar dhe shumë qytetarë venezuelianë të larguar nga vendi i tyre.
Përmes një postimi në profilin e tij në Twitter, këshilltari i presidentit Trump për sigurinë kombëtare, John Bolton ka deklaruar se dërgimi i ndihmave filloi këtë fundjavë. Ndërkohë, presidenti në fuqi i Venezuelës, Nicolas Maduro ka refuzuar ndihmat me argumentin se janë vetëm një pretekst për ndërhyrje ushtarake.
Duke folur përpara mbështetësve të tij ditën e shtunë, Maduro tha se Venezuela nuk është një vend që kërkon lëmoshë. Prej vitesh Venezuela është e përfshirë nga një vorbull krizë të rëndë ekonomike, me një super-inflacion dhe mungesë të gjërave bazë si ushqime dhe medikamente. Situata ka bërë që në vetëm 3 vjet disa milionë njerëz të largohen nga vendi.
Në Janar, Maduro u betua për një mandat të dytë pas fitores në një proces zgjedhor të kontestuar. Të njëjtin muaj, Guaido, që është kryetar i Asamblesë Kombëtare të Venezuelës u vetëshpall president i përkohshëm deri në mbajtjen e zgjedhjeve të reja. Më herët gjatë javës, presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se përdorimi i forcës ushtarake në vendin latin mbetet një opsion i hapur./abcnews.al