Sondazh

 

SHBA nënshkruan marrëveshjen për ndërtimin e ambasadës së përhershme në Jerusalem

schedule18:49 - 1 Korrik, 2026

schedule 18:49 - 1 Korrik, 2026

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë nënshkruar marrëveshjen për ndërtimin e ambasadës së tyre të përhershme në Jerusalem, një hap që është përshëndetur nga autoritetet izraelite si dëshmi e forcimit të aleancës strategjike mes dy vendeve.

Vendimi vjen pas njohjes së Jerusalemit si kryeqytet i Izraelit nga presidenti amerikan Donald Trump në dhjetor të vitit 2017, gjatë mandatit të tij të parë në Shtëpinë e Bardhë. Me atë vendim, SHBA transferoi ambasadën e saj nga Tel Avivi në Jerusalem, duke ndryshuar politikën e mëparshme amerikane dhe duke shkaktuar reagime të shumta në arenën ndërkombëtare.

Gjatë ceremonisë së nënshkrimit në Ministrinë e Jashtme të Izraelit, ambasadori amerikan në Izrael, Mike Huckabee, deklaroi se ndërtimi i kompleksit të ri do të përforcojë praninë diplomatike të SHBA-së në vend.



“Shtetet e Bashkuara jo vetëm që e njohin Jerusalemin si kryeqytetin e përjetshëm të popullit hebre, por do ta dëshmojnë këtë edhe me ndërtimin e ambasadës sonë të përhershme në Jerusalem”, u shpreh Huckabee.

Sipas tij, kompleksi i ri diplomatik do të shërbejë si selia e përhershme e misionit amerikan në Izrael dhe do të simbolizojë partneritetin e ngushtë mes Uashingtonit dhe Jerusalemit.

Statusi i Jerusalemit mbetet një nga çështjet më të debatueshme në konfliktin izraelito-palestinez, ndërsa një pjesë e madhe e komunitetit ndërkombëtar vazhdon të mbështesë zgjidhjen që statusi përfundimtar i qytetit të përcaktohet përmes negociatave mes palëve.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!