SHBA ndërmerr sulme në Siri kundër objektit të përdorur nga Irani

schedule09:01 - 9 Nëntor, 2023

schedule 09:01 - 9 Nëntor, 2023

Shtetet e Bashkuara ndërmorën sulme kundër një magazine armësh në Siri të mërkurën. Pentagoni tha se objekti përdorej nga Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC) dhe grupet e lidhura me to. Kjo është hera e dytë në javët e fundit që forcat amerikane ndërmarrin sulme.

Ndërsa shtohen tensionet lidhur me luftën e Izraelit kundër Hamasit, trupat amerikane dhe të koalicionit në Irak dhe Siri janë sulmuar të paktën 40 herë që nga fillimi i tetorit nga forcat e mbështetura nga Irani. Dyzet e pesë trupa amerikane kanë pësuar lëndime.

Sekretari i Mbrojtjes, Lloyd Austin, tha përmes një deklarate se sulmet u kryen nga dy avionë luftarakë amerikanë F-15 dhe ishin reagim ndaj sulmeve të fundit kundër forcave amerikane. Zoti Austin tha se sulmet kundër trupave amerikane duhet të ndalen.

“Nëse vazhdojnë sulmet kundër forcave amerikane nga grupet e lidhura me Iranin, ne nuk do të hezitojmë të marrim masa të tjera të nevojshme për të mbrojtur njerëzit tanë”, shtoi Austin.

Një zyrtar i lartë ushtarak amerikan, duke folur në kushte anonimiteti, tha se ushtria kishte vëzhguar objektin në provincën Deir al Zor për disa kohë dhe ishte i bindur se nuk kishte viktima civile.

Shtetet e Bashkuara kanë 900 trupa në Siri dhe 2500 të tjera në Irakun fqinj, me një mision për të këshilluar dhe ndihmuar forcat lokale që përpiqen të parandalojnë rilindjen e Shtetit Islamik, i cili në vitin 2014 mori një pjesë të madhe në të dy vendet, por më vonë u mund.

Ekziston një shqetësim në rritje se konflikti Izrael-Hamas mund të përhapet në Lindjen e Mesme dhe bazat amerikane të bëhen objektiva sulmesh./VOA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!