Agjencia Amerikane për Doganat dhe Mbrojtjen e Kufirit (CBP) njoftoi të martën se ka lëshuar një urdhër për ndalimin e dërgesave të bakrit dhe produkteve të bakrit që prodhohen në Serbi nga kompania kineze Zijin Copper D.O.O., për shkak të dyshimeve se në procesin e prodhimit është përdorur puna me detyrim.
Vendimi hyn menjëherë në fuqi dhe personeli i CBP-së në të gjitha pikat hyrëse në Shtetet e Bashkuara do të ndalojë dërgesat e produkteve të bakrit të prodhuara në objektet e Zijin-it në Serbi, u tha në njoftim.
Ky është urdhri i dytë që CBP-ja lëshon për ndalimin e dërgesave të kompanive kineze që operojnë në Serbi për shkak të përdorimit të punës me detyrim, pasi një urdhër i ngjashëm ishte lëshuar më parë për gomat e automjeteve që kompania Linglong prodhon në Zrenjanin, në veri të Serbisë.
“Prodhuesit amerikanë përballen me konkurrencë të pandershme kur kompanitë e huaja i ulin kostot duke përdorur punë me detyrim”, deklaroi ndihmëskomisionerja ekzekutive e Zyrës për Tregti të CBP-së, Susan S. Thomas.
“Duke zbatuar ligjet tona kundër punës me detyrim, CBP-ja mbron të drejtat e njeriut, si dhe sigurinë ekonomike të vendit tonë”, shtoi ajo.



