Në përpjekje për të qetësuar aleatët në Lindjen e Mesme, sekretari amerikan i Shtetit ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara nuk do të largohen nga Siria dhe gjithë rajoni pas mposhtur më parë influencën dashakeqe iraniane.
Shtetet e Bashkuara do të punojnë në rrugë diplomatike me partnerët e tyre për të dëbuar çdo iranian nga territori i Sirisë. Deklarata është bërë nga sekretari i Shtetit Mike Pompeo, gjatë një vizite zyrtare në Egjipt, tre javë pas njoftimit të presidentit Donald Trump për tërheqjen e trupave amerikane nga Siria.
Gjatë vizitës, Pompeo siguroi zyrtarët egjiptianë se Shtetet e Bashkuara nuk do të ndihmojnë në rimëkëmbjen e Sirisë në ato zona të kontrolluara nga presidenti Bashar al Assad derisa Irani të jetë larguar nga vendi. Vendimi i mëhershëm i Trump shqetësoi aleatët e Amerikës dhe njëkohësisht shkaktoi kritika të shumta në Uashington. Zoti Pompeo, që po përpiqet të qetësojë aleatët, tha se Amerika nuk do të tërhiqet derisa lufta kundër terrorizmit të marrë fund.
“Ne do të punojmë pa u lodhur përkrah jush për të mposhtur Shtetin Islamik, Al Kaedën dhe grupe të tjera xhihadiste që kërcënojnë sigurinë tonë dhe tuajën”, deklaroi Pompeo.
Një deklaratë kjo që bie disi ndesh me atë kategorike të presidentit Trump për tërheqjen e trupave.
“Amerika është një forcë pozitive në Lindjen e Mesme dhe kudo që ajo tërhiqet pason kaosi”, shtoi Pompeo.
Irani, përkrah Rusisë, ka mbështetur qeverinë siriane në luftën 8-vjeçare, duke i dhënë armë, asistencë ushtarake dhe madje trupa luftarake. Shtetet e Bashkuara nga ana e tyre i konsiderojnë aktivitetet iraniane në Lindjen e Mesme të dyshimta dhe e shohin Republikën Islamike si një forcë destabilizuese në rajon.
“Ne nuk do ta ndërpresim kurrë fushatën tonë kundër aktiviteteve dashakeqe në këtë rajon”, vijoi Pompeo.
Ai shtoi se sanksionet e administratës amerikane ndaj Iranit janë më të ashprat në histori dhe do të ashpërsohen më tej në të ardhmen./abcnews.al